Qeveria e Kosovës nis ndihmë humanitare në vlerë prej 500 mijë euro për Gazën nga porti i Mersinit

11:56 | 13 Dhjetor 2025
Qeveria e Kosovës nis ndihmë humanitare në vlerë prej 500 mijë euro për Gazën nga porti i Mersinit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se anija me ndihmë humanitare të dedikuar për popullin e Gazës është nisur nga porti i Mersinit në Turqi.

Sipas Kurtit, dërgesa humanitare ka vlerën prej 500 mijë euro dhe përfshin tenda, pako ushqimore, batanije si dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët e Gazës që po përballen me kushte të rënda humanitare.

Ai ka bërë të ditur se vendimi për ofrimin e kësaj ndihme ishte marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në muajin janar, por realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, e arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

“Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza,” ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se kjo është hera e parë që Qeveria e Republikës së Kosovës ofron ndihmë humanitare për banorët e Gazës, duke shprehur shpresën se ajo do të kontribuojë, qoftë edhe në mënyrë modeste, në lehtësimin e vuajtjeve dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.

Komento: