Qeveria e Kosovës reagon për ngjarjen tragjike që ndodhi në Istog

19:51 | 27 Dhjetor 2018

Ngjarja që ndodhi sot në Istog, ishte mjaftë tronditëse për të gjithë vendin.

Dy persona humbën jetën, njëri plaҫikës, e tjetri pjestar i Policisë së Kosovës.

Nëpërmjet një reagimi zyrtar, Qeveria e Kosovës ka dënuar ashpër humbjen e policit, të cilën e ka cilësuar akt qyqar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër humbjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Istog, Izet Demaj dhe fton organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe rrethanat që kanë shtyrë deri në këtë akt qyqar”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

“Qeveria e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaj dhe Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre.

Vepra heroike e flijimit për të shpëtuar jetët e pafajshme është dëshmi e radhës për profesionalizimin dhe humanizmin e Policisë së Kosovës dhe vecmas të pjesëtarit të saj, njëherit ish ushtarit të UCK-së, Izet Demaj”, thekson reagimi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zotimin e saj se do të angazhohet me të gjitha mekanizmat për të krijuar ambient të sigurtë në Kosovë dhe se do të bëjë të pamundurën për luftimin e krimit dhe të dukurive negative në vend, duke kërkuar gjithashtu nga organet e rendit që të shtojnë masat e sigurisë që ngjarje të tilla të mos ndodhin dhe siguria e qytetarëve të jetë në nivelin e duhur”, thuhet më tej.

“Rastet si ky i sotmi, janë dëshmi se përkushtimi për fuqizimin e rendit dhe ligjit në vend, duhet të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjithashtu kjo ngjarje nuk do të ndaloj organet e rendit që të kryejnë punët e tyre me përkushtim dhe me përgjegjësi institucionale në shërbim të të gjithëve dhe krijimit të një klime të qetë”, përfundon reagimi i Qeverisë.

Komento: