Qeveria e majtë e Kosovës i la punëtorët pa Kontratë Kolektive

08:58 | 07 Korrik 2024
qeveria-e-majte-e-kosoves-i-la-punetoret-pa-kontrate-kolektive

Shumë benificione që i kanë gëzuar punëtorët kosovarë në të kaluarën ka disa vite që i kanë humbur për shkak të mungesës së Kontratës Kolektive, raporton portali Front Online.

Mungesa e Kontratës Kolektive, apo siç njihet edhe si “Kushtetuta e Punëtorëve”, sipas sindikalistëve kosovarë, i ka dëmtuar shumë punëtorët.

Kjo kontratë nuk është në fuqi nga viti 2018, përderisa ka pasur premtime dhe shpresa se “Kushtetuta e Punëtorëve” do të negociohet dhe fuqizohet, sidomos gjatë mandatit të kryeministrit Albin Kurti, i cili e udhëheq një subjekt politik të majtë.

Azemi: Qeveria “Kurti” as që diskuton për Kontratën Kolektive

Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, thotë për Front Online se Kontrata Kolektive është dashur të negocitohet, në mënyrë që punëtorët mos të privohen nga shumë të drejtat e tyre.

“Prej vitit 2018 nuk kemi Kontratë Kolektive. Kjo kontratë është dashur të negociohet”, tha Azemi.

Azemi ka treguar se çka humb punëtori në mungesë të Kontratës Kolektive.

“I sanksionon shumë punëtorët e sektorit privat sepse dihet që Kontrata është më e avancuar sesa Ligji i Punës. Ne i humbim rastet karshi punëdhënësve në mungesë të Kontratës Kolektive, sidomos tek stazhi i punës dhe benificionet e tjera, subvencionet për pagat shtesë, pagën e 13-të e shumë dëme po i sjellë punëtorëve”, shprehet Azemi për Front Online.

Ai ka kritikuar në veçanti Qeverinë “Kurti” për mos realizimin e premtimit për më shumë të drejta për punëtorët.

“Qeveria aktuale, e cila ka ardhë me premtime që shpejtë do ta fus në funksion Marrëveshjen Kolektive, nuk po e diskuton fare këtë. Punëtorët  e sektorit publik nuk gëzojnë shumë të drejta. Kjo duhet të bëhet sa ma shpejt”, deklaroi Azemi.

Sefaj: Qeveria “Kurti” s’ka bërë asgjë për punëtorët, edhe pse thonë se janë socialdemokratë

Kryetari i Shërbyesve Civil, Ali Sefaj, thotë se me mos funksionimin e Kontratës Kolektive, punëtorëve po u pamundësohen shumë të drejta që i kanë.

“Punëtorëve të sektorit publik iu cenohen dhe pamundësohen shumë të drejta dhe këto do të duhej t’i gëzonin sikur të nënshkruhej Kontrata Kolektive, sepse parashehë benificione shtesë dhe asnjëherë nuk parasheh benificione më pak se sa Ligji ekzistues që i referohet asaj kategorie”, shprehet Sefaj.

Ai ka treguar se çfarë kishin përfituar punëtorët në rast të fuqizimit të kësaj Kontrate.

Sefaj thotë se pushteti aktual s’ka bërë asnjë lëvizje karshi kësaj çështjeje.

“Benificione për pagat që do të marrin në rastin e pensionimit e tani nuk e fiton asnjë pagë e ma herët e ka fituar, në rast të sëmundjes, vdekjes së anëtarit të një familje, udhëtimit që do t’i gëzonte. E kemi një Qeveri, e cila thirret si socialdemokrate, apo e majtë, por duket se nuk është ashtu. S’ka bërë asgjë”, shpehet Sefaj për FrontOnline.

Jasharaj: Ministri Hekuran Murati e ka bllokuar punën e Këshillit Ekonomik Social

Qeveria “Kurti” është kritikuar edhe nga Sindikata e Arsimit.

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha për Front Online se ministri Hekuran Murti e ka bllokuar funksionimin e Këshillit Ekonomik Social.

“Dëshmi e qasjes së gabuar ndaj Sindikatave e dialogut. Kjo është dashur të nënshkruhej nga Kurti e BSPK, ka dy vite që është përgatitur versioni, por ministri Murati e ka bllokuar funksionimin e punën e Këshillit Ekonomik Social”.

Faji i Qeverisë është për mos funksionalizimin e Kontratës Kolektive, thotë Jasharaj.

Ish-ministri Reçica: Kosovës po i mungon dialogu social

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies, Skënder Reçica, ka deklaruar se Kosovës po i mungon dialogu social.

Sipas tij, Qeveria ka dështuar në Ligjin e ri të Punës, i cili do të avanconte të drejtat e punëtorëve.

“Kosovës është duke i munguar dialogu social dhe si rezultat, pakënaqësi ka edhe në sektorin publik e privat sa i përket të drejtave të punëtorëve. Kjo Qeveri ka dështuar në Ligjin e ri të Punës, i cili do të avanconte të drejtat e punëtoreve dhe ato të drejtat që nuk mund të përfshihen në Ligjin e Punës të rregullohen përmes marrëveshjes të përgjithshme kolektive”, u shpreh Reçica për Front Online.

 

 

Komento: