Qeveria e Serbisë ka njoftuar se në seancën e djeshme është miratuar një rregullore e cila lejon vazhdimin e regjistrimit të të gjitha automjeteve me targa ilegale të cilat përmbajnë akronimet e qyteteve të Kosovës, KM, PR, GL dhe të tjera.
Rregullorja e miratuar flet për “kushte të veçanta për vlefshmërinë e regjistrimit të automjeteve me shenja regjistrimi të qyteteve dhe komunave” në Kosovë, e cila hyn në fuqi sot.
Njoftimi i qeverisë serbe thotë se këto automjete, si më parë, “do të mund të lëvizin lirshëm në komunikacion, me posedim të policës së sigurimit të detyrueshëm dhe dëshmisë së kontrollit teknik të mjetit, jo më e vjetër se një vit”, përcjell klan kosova.
“Qeveria e mori vendimin në përputhje me rregulloren për regjistrimin e automjeteve të autoriteteve kompetente të Republikës së Serbisë, si dhe marrëveshjen e arritur në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për parandalimin e përshkallëzimit të situatës dhe vazhdimin e kërkimit për zgjidhje të përhershme të çështjes së targave të automjeteve” në Kosovë, thuhet në njoftimin e qeverisë serbe.
Dje, mediat serbe raportuan se pronarët serbë të automjeteve me targa ilegale do të jenë në gjendje të vazhdojnë t’i ngasin ato me stikersat (ngjitësit) ekzistues, stikersa këta që shërbejnë për të dëshmuar se një veturë është e regjistruar dhe e siguruar.