Qeveria falimenton Telekomin, ia falë 18 milionë Euro KEDS-it

20:05 | 27 January 2021

Qeveria ia falë 18 milionë Euro KEDS-it dhe e falimenton Telekomin.

Sindikata kritikon Qeverinë për falimentim të qëllimshëm të Telekomit.

Se Qeveria e Kosovës nuk e ka prioritet të saj Telekomin e Kosovës që është në krizë të madhe dhe buzë falimentimit, dëshmohet me faktin se në Pakon e fundit të rimëkëmbjes ka ndarë hiç më pak se 18 milionë Euro për KEDS.

Kjo kompani, e cila operon me fitim të deklaruar si dhe me pronësi komplet private, e privatizuar nga investitorë turkë, Qeveria e Kosovës zgjedhë prapë t’iu bëjë favore duke ia falë KEDS-it 18 milionë euro, përderisa ndërmarrjet publike si Posta dhe Telekomi i Kosovës i ka anashkaluar deri më tash.

Në një reagim të Sindikatës për këtë vendim të Qeverisë të pabazë dhe të pashembullt, tërhiqet vërejtja se neglizhenca e Qeverisë ndaj Telekomit të Kosovës shihet si e qëllishme dhe e dëmshme.

“Në vend që Qeveria të paguajë borxhet e institucioneve ndaj Postës dhe Telekomit të Kosovës, Qeveria ka zgjedhur të ndihmojë bizneset e huaja me mjetet e taksapaguasve tanë.

Pra Qeveria qëllimisht shihet se e dëshiron falimentimin e këtyre dy ndërmarrjeve, anipse edhe më herët por edhe tash nëpër fushata zgjedhore premtojnë dhe zotohen se prioritet i tyre janë ndërmarrjet publike”, thotë Muhamet Xhemajli, kryetar i Sindikatës Profesionale të Telekomit të Kosovës.

Ai ka paralajmëruar se nuk ka mbetur rrugë tjetër përveç se të dilet në rrugë për të kërkuar llogaridhënie nga Qeveria për këtë dëm të drejtpërdrejt që është duke ia bërë Postës dhe Telekomit të Kosovës.

“Ndihmat e deklaruara më herët nga Aksionari për Telekomin në shumën rreth 6 milionë euro, kanë përfunduar në llogarinë e Devollëve, së cilës me bekimin dhe miratimin e kësaj Qeverie i është aprovuar që çdo muaj do t’i shkojnë nga 740 mijë euro në 24 muajt e ardhshëm. E lusim Qeverinë sa nuk është bërë tepër vonë që ta kthejë fokusin nga ndërmarrjet publike dhe t’i trajtojë minimumi barabartë me bizneset private, të cilat në shumicën e rasteve nuk e kanë të domosdoshme përkrahjen nga Qeveria”, pohon Xhemajli.

Sipas tij, muajt e parë të këtij viti do të jenë shumë të vështirë për Telekomin e Kosocës dhe në rast se nuk intervenohet urgjentisht nga Qeveria, atëherë do të jetë e pashmangshme situata kur punëtorët do të mbesin pa paga, të bllokohen sërish kontot dhe rrjedhimisht të shkohet drejt falimentimit total.

Komento: