Opozita e vendit vazhdon ta ketë temë diskutimi mocionin për rrëzimin e Qeverisë aktuale të Kosovës.
LDK e VV dakordohen për rrëzimin e qeverisë, në mocion mungojnë rreth pesë nënshkrime. Kundër mocionit del edhe Zafir Berisha.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ai i Lëvizjes Vetëvendosje janë takuar sërish të mërkurën. Bashkëpunimi i tyre, mund të jetë lajm jo i mirë për koalicionin qeverisës.
Isa Mustafa është takuar të mërkurën me Albin Kurtin me ç’ rast kanë bërë me dije se janë afër finalizimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë.
E në Vetëvendosje thonë se sa më shpejt që munden do i përvishen punës për rrëzimin e qeverisë.
Por, deputetja e VV’së, Arbërie Nagavci, tregon se nuk i kanë të gjitha nënshkrimet që i duhen për këtë mocion, megjithatë ajo thotë se do të angazhohen në këtë drejtim.
Inciuesit e këtij mocioni kësaj here kanë edhe një nënshkrim më parë. Është deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha ai që pati thënë se do votojë pro rrëzimit të qeverisë, por duket se tash ka ndërruar mendje.
Me numrat e opozitës ironizoi edhe shefi i qeverisë, Ramush Haradinaj.
Ky mocion nuk po e shqetëson kryeministrin, Haradinaj. Ai në emisionin “Pressing”, në T7, ka thënë se qeveria e tij është më e kujdesshmja që ka parë Kosova.
Ndërkohë LDK ka muaj që është në përpilim të këtij mocioni për çka ka siguruar disa nënshkrime.