Qeveria i ka ditët e numëruara, opozita konfirmon se këtë javë bëhet teksti i mocionit

16:30 | 20 May 2019

Vjosa Osmani e Glauk Konjufca kanë konfirmuar se këtë javë përpilohet teksti i mocionit për rrëzimin e qeverisë.

Këtë javë pritet takimi i liderëve të opozitës, kështu për një mocion votëbesimi për qeverisjen aktuale. Opozita janë në kërkim të votave të pozitës, ndërkohë LDK-ja ende nuk ka vendim nëse do i kërkojnë edhe votat e Listës Serbe. Këtë javë pritet të bëhet mocioni, por jo edhe shkarkimi i Qeverisë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani e ka rikonfirmuar takimin e liderëve të partive opozitare brenda kësaj jave, qëllimi i të cilit tha se është intensifikimi i bashkëpunimit në mes tyre dhe koordinimin rreth përmbajtjes së mocionit për rrëzim të qeverisjes aktuale. Osmani duke mos dashur të flas për emrat e deputetëve nga mazhoranca të cilët i kanë targetuar për t’u marr nënshkrimet për rrëzim të koalicionit PAN, tha se me këta deputetë ka kohë që kanë bashkëpunim. Ajo thotë se finalizimi i këtyre bashkëpunimeve me deputetët e pozitës do të mund të bëhet vetëm pas përfundimit të takimit të paralajmëruar të tre liderëve të partive opozitare. Deputetja e partisë opozitare më të madhe në vend, Vjosa Osmani nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit për rrëzim të qeverisë edhe me deputetët e Listës Serbe, teksa u shpreh se ky vendim do të merret në ditët në vijim. E shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca thotë se tani është koha e mocionit për rrëzim të koalicionit qeverisës PAN, dhe se kjo javë do jetë vendimtare për përpilimin e tekstit të mocionit, por jo edhe për rrëzim të koalicionit qeverisës.

Konjufca pranon se opozita nuk i ka votat për rrëzimin e Qeverisë, por thotë se ato do t’i kërkojnë edhe brenda koalicionit qeverisës. Më kritik ndaj dy partive më të mëdha opozitare është deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu i cili thotë se përkundër që nënshkrimet për rrëzim të Qeverisë Haradinaj i kanë dorëzuar në korrik të vitit të kaluar, deri më tani ka munguar bashkëpunimi opozitar.

Sipas tij, deri tash LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë pasur vetëm akuza ndaj PSD-së dhe jo bashkërendim, pa të cilin, siç thotë ai, nuk mund të ndodh rrëzimi i kësaj qeverie. Për rrëzimin e Qeverisë duhet të sigurohen të paktën 61 vota.

Komento: