Qeveria e Kosovës, ka dhënë detaje për takimin që kryeministri Albin Kurti, ka pasur me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në komunikatë bëhet e ditur se në takim u bisedua për ecurinë e mëtejshme të procesit të bisedimeve në Bruksel, dhe për përgatitjet për takimet e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, marrëveshje kjo, e cila sjell normalizim të plotë, sepse e ka në qendër njohjen reciproke”, thuhet në komunikatë.
Sipas Kryeministrisë gjatë takimit u potencua Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i pranuar dje, si dukshëm më i mirë sesa vitin e kaluar dhe si një ndër raportet më të mira në rajon.
“U tha se ky raport tregon qartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për agjendën e BE-së dhe dëshmon arritjet e shënuara në shumë fusha, që kanë kaluar një hap më lart në shkallët e progresit”, njofton kryeministria.
Në takim u bisedua edhe për çështjet aktuale, si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, që përfundimisht shpie në pagesën e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës.