Qeveria Kurti del me reagim lidhur me kërkesën e Escobarit për shtyrje 10 muajshe të afatit për targat

14:25 | 20 October 2022

Kërkesa e Escobar për shtyrje 10 muajshe të afatit për targat, Qeveria Kurti del me reagim.

Qeveria e Kosovës ka thënë se e ka për obligim që të zbatojë sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare për çështjen e shtyrjes së mundshme të vendimit për riregjistrimin e automjeteve në RKS.

Kështu tha Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express kur u pyet mbi deklaratën e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, i cili tha se ka kërkuar që të shtyhet ky afat për 10 muaj.

“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat e zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatik edhe përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. Ju bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Esbobar ka thënë se këtë kërkesë për shtyrje e kanë bërë të gjitha vendet e Quintit – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.

“Ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, ka thënë Escobar në Kanal 10.

Sidoqoftë, Escobar ka thënë se Kosova ka të drejtë që ta zbatojë këtë, por se kjo duhet të bëhet në një formë paqësore dhe që nuk i ngrit tensionet e që nuk i shpërqendron nga disa gjëra të tjera.

“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e SHBA-së, por e gjithë Quintit. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”.

Komento: