Qeveria Kurti merr vendim për Klan Kosovën

16:57 | 28 Korrik 2023
qeveria-kurti-merr-vendim-per-klan-kosoven

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) njofton se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë sot vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”, duke konstatuar se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovës (ARBK), në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin, kur pezulloi certifikatën e biznesit për Klan Kosovëm.

Aty thuhet se vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Komunikata e plotë:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njofton opinionin publik se, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë sot vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”. Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.

Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.

Mirëpo, Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund. Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për “pronarët e vërtetë të subjektit” KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si “Kosovo”, ndërsa shteti i vet ende si “Serbia”, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë. Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?

Komento: