
Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje komemorative për veprimtarin e çështjes kombëtare shqiptare, Hafiz Gagica, ku u vlerësua roli i tij në organizimin e mërgatës shqiptare dhe funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës gjatë viteve ’90.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Gagica kishte rol kyç në mbajtjen aktive të mërgatës shqiptare dhe në organizimin e sistemit paralel të Republikës së Kosovës gjatë okupimit serb.
“Roli i tij në bashkimin dhe mbajtjen aktive të mërgatës sonë, gjenerata shqiptare është e përndjekur nga regjimi serb, të cilët u kthyen në një brez të tërë qëndrese ishte kyç në jetësimin e mbajtjen gjallë si dhe organizimin e funksionimit të sistemit të Republikës së Kosovës që ndodhej nën okupim gjatë viteve të 90-ta”, tha ai.
Kurti tha se Hafiz Gagica ishte bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe një nga figurat më të rëndësishme të organizimit politik të diasporës shqiptare.
“Hafiz Gagica ishte një nga bashkëpunëtorët e afërt e të besuar të presidentit historik Ibrahim Rugova, dhe me të drejtë cilësohet edhe si krahu i djathtë i tij. Në kohërat e rënda dhe të rrezikshme, ai mbajti mbi supe përgjegjësi të madhe”, tha ai.
“Duke vënë në rend të parë e të pakontestueshëm qëllimin që kishte lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ai arriti të tejkalonte dallimet politike dhe të bashkëpunonte me të gjithë, duke u bërë zëri i vendit tonë në diasporë”, tha Kurti.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se Gagica kishte rol vendimtar në organizimin e mërgatës dhe lidhjen e institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
“Ai morri pjesë në tranzicion nga përpjekjet me çlirimin e Republikës së Kosovës, në ngritjen dhe forcimin e sistemit paralel gjatë represionit të ushtruar nga Serbia, si dhe në përfaqësimin e një zëri të fuqishëm dhe të padiskutueshëm të shqiptarëve për Kosovën në Gjermani, por edhe më gjerë. Për këtë angazhim, ai hoqi dorë nga vendi i tij i punës në Gjermani për t’ju përkushtuar tërësisht veprimtarisë politike duke u kthyer dhe kthehet pa asnjë hezitim në bartësin kryesor të aktivitetit të mërgatës së viteve të 90-ta në Gjermani, në Evropë e më tej, duke marrë përsipër rol kyç të lidhjes mes Prishtinës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha ajo.
Gërvalla tha se zyra në Shtutgart, nën drejtimin e Hafiz Gagicës, kishte shërbyer si qendër kryesore për organizimin e aktiviteteve politike dhe diplomatike të Kosovës në Gjermani dhe Evropë.
“Gjatë viteve të 90-ta, si për presidentin Rugova ashtu edhe për përfaqësues të tjerë përgjegjës të Republikës së Kosovës, zyra në Shtutgart, faktikisht ishte qendra e dytë krahas Prishtinës. Dhe nën drejtimin e Hafiz Gagicës shërbeu si pikë qendrore për logjistikë, koordinim, kontakte politike dhe veprimtari të shumta të tjera. Një numër i madh i udhëtimeve të presidentit Rugova dhe të delegacioneve të tjera në Gjermani, Zvicër dhe vende të tjera evropiane, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u organizuan nga kjo qendër në Shtutgart, nën drejtimin e tij. Doktor Rugova nuk mund të udhëtonte çdo javë jashtë vendit. Hafiz Gagica ishte zëvendësi i tij në Shtutgart ku kishim selinë kryesore në Gjermani”, tha ajo.
Ajo shtoi se Gagica përfaqësoi krahun e dytë të fuqishëm të Kosovës e që ishte mërgata.
“Hafizi, miku ynë i ndjerë Salih Çekaj, dhe të tjerë përfaqësonin krahun e dytë të fuqishëm të Kosovës që ishte mërgata. Ai pati gjithashtu rol vendimtar në organizimin dhe sigurimin e financimit të sistemit paralel të Republikës së Kosovës me ç’rast rinisht në fushat e shëndetësisë, arsimit, si dhe të furnizimit ushqimor. Në këtë periudhë tejet të vështirë qindra mijëra shqiptarë përfituan mbështetje jetike falë organizimit të qëndrueshëm dhe angazhimit edhe personal të Hafiz Gagicës, si dhe të shumë e shumë veprimtarëve të tjerë në mërgatë”, tha ajo.
Në emër të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve foli akademik Ali Aliu, i cili tha se Gagica ishte një nga njerëzit më të afërt të Ibrahim Rugovës dhe një figurë e respektuar për urtësinë dhe përkushtimin ndaj Kosovës.
“Njeri me cilësi të përsosura. Të gjithë ata që kanë bashkëpunuar dhe kanë qenë afër Hafiz Gagicës, e njohin si të tillë. Njeri që reflektonte mirësi, afërsi disponim pozitiv ndaj rrethit të tij, të afërm dhe të tjerëve të tillë e kam njohur edhe unë gjatë gjithë kohës. Hafiz Gagica kishte gjithë atë burrni, të qetë asnjëherë nuk ka ngritur zërin. Kurrë s’e kam dëgjuar që të flasë me emocione, zemërim përkundrazi, gjithë jeta e tij ka qenë buzëqeshje edhe atëherë kur përballej me vështirësi, dhimbje. Hafiz Gagica e ka dashur Kosovën. E ka dashur me një pasion zell edhe njerëzillëk. Ai është përkushtuar këtij misioni me gjithë qenien e tij fizike. Në këtë mision Hafiz Gagica ka dhënë vetveten familjen e ngushtë të vet. Në këtë mision ai ka shërbyer deri në çastet e fundit me paraqitjet e tij publike çështjes së Kosovës”, tha ai.
Veprimtari i çështjes kombëtare, Hafiz Gagica, ka ndërruar jetë më 27 maj 2026, pas një sëmundjeje të rëndë