Qeveria miraton tri marrëveshjet e Procesit të Berlinit

10:58 | 08 Shkurt 2023

Qeveria e Kosovës ka miratuar tri marrëveshje që u nënshkruan në kuadër të Procesit të Berlinit në fillim të nëntorit të vitit 2022.

Kryeministri Kurti tha se pas miratimit në Qeveri, këto tri marrëveshje do të dërgohen në Kuvend.

“Vitin e kaluar pas gati tri vitesh negociatash në Berlin nënshkruam tri marrëveshje të mobilitetit mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sot pas përfundimit të procedurave të brendshme nga institucionet tona i kemi sjellë për aprovim në Qeveri dhe pastaj do t’i çojmë në Kuvend”, tha kryeministri Kurti.

Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, u nënshkruan nga krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 3 nëntor, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit. Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova u pajtuan paraprakisht për marrëveshjet, në tetor, pas disa javësh negociatash të udhëhequra nga Gjermania.

Komento: