Qeveria ndan 1.1 milionë euro për “Trepçën”, për Telekomin paralajmëron zgjidhje të shpejtë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Qeveria ndan 1.1 milionë euro për “Trepçën”, për Telekomin paralajmëron zgjidhje të shpejtë

14:37 | 13 Nëntor 2020

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë 1.1 milionë euro për ndërmarrjen publike “Trepça”, për të kaluar situatën e vështirë nëpër të cilën po kalon, ka bërë të ditur kryeministri Avdullah Hoti në një konferencë për media të premten.

Ai ka paralajmëruar një zgjidhje të shpejtë edhe për Telekomin që është zhytur në krizë të thellë financiare.

Hoti ka thënë se situata në “Trepçë” është e rëndë. Sipas tij, ndërmarrja ka borxhe prej rreth tetë milionë eurosh.

Në konferencën për media, Hoti ka thënë se janë pajtuar me bordin e përkohshëm që ky bord të dorëzojë shpejt një plan biznesi se ku është kompania në aspektin afarist dhe një plan më afatgjatë për mënyrën e futjes së investimeve nga jashtë. Ai është ankuar se menaxhmenti i “Trepçës” s’ka treguar performancë të mirë. Hoti ka thënë se kjo ndihmë s’është pa kushtëzime, por sipas tij kushtëzohet nga plani i biznesit dhe masat që duhet t’i ndërmarrë bordi në këtë ndërmarrje.

Kërkesën për ndihmë buxhetore për “Trepçën” e bëri të premten në mbledhjen e Qeverisë ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi. Ai propozoi që mjetet të merren nga ndarja buxhetore e pakos për rimëkëmbje ekonomike. Propozimi s’u fut në rend dite, pasi që mbeti që fillimisht për situatën të diskutohet me Ministrinë e Financave.

Në një postim në Facebook, pas vendimit të Qeverisë, ministri Kuçi ka thënë se borxhet e shumta që kishte ndërmarrja bënë që ajo të bllokohet nga përmbaruesit. Si arsye ka përmendur edhe çmimet e ulëta në bursë si pasojë e pandemisë, por edhe “menaxhimin jo mjaftueshëm të mirë”.

Hoti po ashtu ka paralajmëruar një zgjidhje për Telekomin të cilit i janë bllokuar xhirollogaritë për shkak të rastit të humbur në Arbitrazh me ish-operatorin virtual “Z-Mobile”. Telekomi për këtë rast të humbur duhet të paguajë rreth 26 milionë euro.

“Për disa ditë do të jem para jush për të treguar edhe një zgjidhje për Telekomin për të cilën jemi duke punuar. Edhe ajo kompani është në gjendje të vështirë”, ka thënë Hoti.

Komento: