
Janë ndarë mjetet për zbatimin e pakos emergjente fiskale.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 10 milionë e 900 mijë euro për implementimin e pakos emergjente fiskale.
Qeveria e në detyrë e Kosovës ka mbajtur gjatë ditës së sotme mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje janë shqyrtuar dhe miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale, ku u bë ndarja e buxhetit në vlerë prej 10 milionë e 900 mijë eurove për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale, shkruan lajmi.net.
“Në harmoni me Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2020, Ministria e Financave dhe Transfereve, ka kërkuar nga Qeveria që të aprovojë vendimin për ndarjen e 10,900,000.00 eurove për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale të aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me vendimin e datës 30 mars 2020”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.
Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:
Me kërkesë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe në pajtim Rregulloren e Punës së Qeverisë, është mbajtur mbledhja korresponduese (mbledhja elektronike) e 32 e Qeverisë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale.
Në harmoni me Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2020, Ministria e Financave dhe Transfereve, ka kërkuar nga Qeveria që të aprovojë vendimin për ndarjen e 10,900,000.00 eurove për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale të aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me vendimin e datës 30 mars 2020.
9,400,000.00 euro janë ndarë për Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike dhe 1,500,000.00 euro për Ministrinë e Financave dhe Transfereve.
Mjetet e ndara do të merren nga kontigjenca në Ministrinë e Financave dhe Transfereve në kategorinë e shpenzimeve dhe mallrave dhe nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve.