Qeveria nuk heqë dorë nga vendimi për taksën ndaj Serbisë

20:37 | 09 January 2019

Javë më parë, Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100% për produktet serbe.

Komisioneri për Zgjerim dhe Politika të Jashtme Fqinjësore, Johannes Hahn sot tha se është duke pritur përgjigje nga Kosova lidhur me taksën për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Hahn ka thënë se e ka përsëritur ofertën Qeverisë së Kosovës për të negociuar barrierat tregtare në një format të veçantë.

Sipas tij, duhet gjetur një zgjidhje sa më e shpejt.

Mirëpo, në Qeverinë e Kosovës po thonë se vendimi për taksën vazhdon të mbetet i njëjtë.

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi ka thënë për lajmi.net se ende nuk ka ndonjë ndryshim.

“Nuk ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e Qeverisë së Kosovës në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Arifi.

Ditë më parë, presidenti i vendit Hashim Thaçi është shprehur i gatshëm të shqyrtojë heqjen e tarifave nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshje finale paqësore me Serbinë.

Kryeministri, Ramush Haradinaj nuk i ka komentuar deklaratat e presidentit vetëm se ka ripërsëritur qëndrimin e tij se taksa hiqet vetëm kur Serbia e njeh Kosovën.

Nga ana tjetër, pala serbe ka deklaruar se dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të zhbllokohet deri sa të merret një vendim për largimin e këtyre barrierave ndaj produkteve serbe.

Komento: