“Qeveria për Familjet”, veç 14 për qind e përfituesve të socialit kanë aplikuar për vend pune.
Përmes skemës “Qeveria për Familjet”, ekzekutivi ua ofroi secilës familje me asistencë sociale nga një vend pune.
Por kësaj oferte të hapur në korrik të këtij viti, i janë përgjigjur vetëm tre mijë e 505 qytetarë.
Kaq është numri i aplikimeve në periudhën gusht-tetor, në të gjitha degët e Agjencisë së Punësimit.
Në gusht kanë aplikuar 2,168 persona, në shtator 810, ndërsa në tetor ka pati 527 aplikime, njofton Klan Kosova.
Më së shumti punëkërkues pati në Prishtinë, 353 sosh. Në Vushtrri aplikuan 233 persona, ndërsa në Viti, 230.
Derisa aplikimet po verifikohen ende, deri tash janë punësuar 684 persona në 570 biznese të ndryshme, të cilëve qeveria ua mbulon 70% të pagës deri në 300 euro.
Aktualisht në Kosovë janë afër 24 mijë familje me asistencë sociale, ndërsa i bie se vetëm 14% e tyre kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e skemës “Qeveria për Familjet”. Një problem me këtë kategori është cilësuar refuzimi i punës, për të mos e humbur socialin.
Megjithatë, Vebi Mujku nga Qendra për Punë Sociale në kryeqytet, thotë se janë vërejtur efektet, pasi është ulur numri i përfituesve nga skema sociale.
Ndërsa Skender Krasniqi nga Dhoma e Tregtisë nuk e vlerëson aq këtë masë. Ky thotë se nga kjo kategori nuk ka punëtorë të kualifikuar, prandaj qeveria duhet ta mendojë edhe përgatitjen e tyre për treg të punës.
Këto shifra, Klan Kosova i mori nga APRK dy muaj e gjysmë pas kërkesës, e pastaj ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.