Këto janë dy masat që po shqyrtohen për çmimin e bukës dhe produkteve tjera bazike.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, ka paralajmëruar se janë duke shqyrtuar mundësinë për marrjen e masave ligjore për çmimet e produkteve bazike, në mënyrë që t’i mbrojë konsumatorët.
Dy mundësitë që janë duke u shqyrtuar janë çmimi tavan apo caktimi i marzhës.
Hajdari tha se po e analizojnë situatën në treg dhe lëvizjen e çmimeve të produkteve esenciale ndërsa njoftoi se e kanë krijuar një grup të dytë punues për masën ligjore për produktet esenciale, raporton Gazeta Express.
Ky grup do të analizojë se çfarë masa ligjore duhet të merren për produkte si gruri, mielli, buka, sheqeri, orizi, kripa, vezët, sapuni, etj.
“Se cila masë do të vendoset për produktet bazike do të vendoset shumë shpejt, vetëm varet nga analiza e situatës”, ka thënë Hajdari në një konferencë për media.
Hajdari ka shprehur shqetësimin për ngritjen e çmimit të bukës në disa qytete të Kosovës.
Ajo tha se kjo po ndodhë në kohën kur importi i çmimit të miellit dhe grurit është liruar për shtatë për qind në krahasim me muajin maj.
Ditëve të fundit në disa qytete të Kosovës, çmimi i bukës është shtrenjtuar nga 40 deri në 60 centë.
Ajo iu bëri thirrje inspektorëve komunalë që “të jenë më të angazhuar”, ndërsa tha se “Ministria është shumë aktive edhe pas orarit të punës”.
Pas disa hulumtimeve që tha se u kryen edhe gjatë festës së Bajramit, ministrja Hajdari tha se konstatuan diçka.
“Marzha e artikujve esencialë, ndonëse tregu i lirë, ka dallim të lartë mes operatorëve ekonomikë”, tha ajo.
Edhe kryetari i Shoqatës se Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, ka kërkuar që të mos spekulohet me çmimet.
Pas takimit, në një konferencë për media bashkë me ministren Hajdari, Zejnullahu tha se sivjet do të ketë mjaftueshëm grurë, raporton Gazeta Express.
“Sot në takimin me ministren Hajdari dhe ministrin Peci, diskutuam për situatën aktuale të korrje-shirjeve për sezonin e këtij viti. Ne si shoqatë jemi të angazhuar duke e vëzhguar situatën në terren dhe jemi kompetent, duke marrë parasysh situatën globale me furnizime esenciale, që të kemi një furnizim stabil me grurë dhe miell për tregun e brendshëm”, tha ai.
“Do të kemi furnizim të mjaftueshëm. Do të krijohen furnizime sipas nevojës edhe nga tregje të jashtme që ne të kemi furnizim stabil”, shtoi Zejnullahu.