Zëdhënësi publikon arritjet e Qeverisë për javën që lëmë pas.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, edhe këtë të hënë ka vazhduar zakonin e publikimit të ngjarjeve kryesore të javës që lamë pas.
Kësaj radhe, Kryeziu ka listuar pesë arritje të Qeverisë, që i përkasin natyrave të ndryshme, politike arsimore, financiare e kulturore.
Ky është selektimi i Kryeziut dhe Qeverisë:
Pesë nga ngjarjet kryesore të javës që lëmë pas:
Në samitin e Berlinit u nënshkrua marrëveshja për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, për njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e tri profesioneve: mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.
Edhe një fitore në Gjykatën e Arbitrazhit. Kësaj radhe Telekomi i Kosovës fitoi rastin për padinë që rrezikonte humbjen e 10 milionë eurove.
U inaugurua Rrjeti Kombëtar për Hulumtim dhe Edukim. Ky rrjet, përmes së cilit do të përfitojnë studentë dhe hulumtuesë, do të lidhë të gjitha institucionet shkollore të vendit me qendrat e edukimit në të gjithë Evropën.
Pasurohet lista e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të shtetit. Ministria e Kulturës mori nën mbrojtje të përkohshme edhe 19 asete tjera.
U proceduan për pagesa edhe 1.7 milionë euro për sasinë e dorëzuar të grurit, duke çuar në 51.7 milionë euro mbështetjen për fermerët – më të lartën ndonjëherë.