Qeveria e Kosovës edhe pse vitin e kaluar kishte paguar rrymën për Veriun, me gjasë do të paguaj edhe sivjet. Qeveria e Kosovës do të ndajë para tjera për mbulimin e shpenzimeve të rrymës për furnizim me energji elektrike, në komunat veriore të Kosovës.
Para një viti, Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare në vlerë 1 milion euro për KOSTT-in, për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike në komunat veriore. Kryeministri Ramush Hardinaj, kishte thënë se këto mjete janë të përkohshme, pasi do gjendet zgjidhja që qytetarët atje të paguajnë vetë rrymën.
Qeveria do të jetë e detyruar prapë të hapë kuletën për Operatori e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës –KOSTT. Kjo pasi, Kosova nuk e ka përmbyllur marrëveshjen për konektivitetin dhe për regjistrimin e një operatori në pjesën veriore të Kosovës në mënyrë që të fillojë pagesa nga qytetarët në veri.
Zyra e Rregulltarit të Energjisë Elektrike –ZRrE në raportin e sajë “Bilancet e Energjisë Elektrike dhe Termike për vitin 2019”, ka paraparë humbjet e energjisë elektrike. Në raportin që e ka parë lajmi.net, thuhet se humbjet e sistemit (Konsumi i veriut të Kosovës), është energjia për të cilën ZRrE duhet të përcaktojë furnizuesin që obligohet të bëjë mbulimin e konsumit të pjesës së veriut të Kosovës dhe se aktualisht ky konsum nuk mbulohet nga asnjë palë.
Sipas raportit, në planifikimin e humbjeve të tëra në rrjetin e transmetimit përfshihen humbjet e shkaktuara ngarkesat e konsumit të Kosovës dhe humbjet e shkaktuara nga energjia elektrike që kalon si tranzit.
“Humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit janë planifikuar të jenë 121 GËh ku 114.8 GËhose 1.78 % janë humbje të lejuara, ndërsa 5.8 GËh janë humbje të tejkaluara. Humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes sipas të dhënave të pranuara janë planifikuar të jenë 1,159 GËh prej të cilave 970 GËh ose 19.79% janë humbje të lejuara, ndërsa 189 GËh janë vlerë e tejkaluar e humbjeve duke pasur parasysh nivelin e lejuar të humbjeve nga ZRrE. Humbjet e sistemit (Konsumi i veriut të Kosovës), është energjia për të cilën ZRRE duhet të përcaktojë furnizuesin që obligohet të bëjë mbulimin e konsumit të pjesës së veriut të Kosovës. Aktualisht ky konsum nuk mbulohet nga asnjë palë”, thuhet në raportin “Bilancet e Energjisë Elektrike dhe Termike për vitin 2019”.
Adelina Murtezaj Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publik tha për lajmi.net se ZRrE është përpjekur që të bëjë zgjidhjen më të mirë të mundur, brenda kompetencave të saja ligjore, duke mos lejuar që konsumatorët të mbesin pa furnizim, për shkak të pasojave financiare që kanë operatorët në raste të tilla e që janë jashtë mundësisë së ndikimit të tyre, siç është rasti me humbjet e veriut.
“Mjeti i vetëm i ndikimit të ZRRE, për raste të tilla, është përmes rregullimit të çmimeve.
Kjo mundësi i është hequr ZRRE me vendimin e përkohshëm të Gjykatës, i cili ka kërkuar që konsumatorët mos të paguajnë më për këtë pjesë të humbjeve. Prandaj dhe ZRRE që nga dhjetori i vitit 2017 ka obliguar operatorët që mos të përfshinë ndikimin e humbjeve të veriut në çmimin që paguajnë konsumatorët. Deri më tani ZRRE nuk ka ndonjë informatë se gjykata ka marrë vendimin përfundimtarë në lidhje me këtë çështje”, tha Murtezaj Bajrami.
Se kush do t’i mbulojë humbjet në veri, zyrtarja e ZRrE-së, thotë se kjo është kompetencë e institucioneve tjera.
“Siç thamë më lartë faturat e energjisë elektrik, që nga fundi i vitit 2017, kur është marrë vendimi i përkohshëm i Gjykatës, nuk e kanë të përfshirë ndikimin që përbëjnë humbjet e pjesës veriore të vendit. Sa i përket asaj se kush do t’i mbulojë këto humbje në të ardhmen, duhet të kërkoni sqarime nga institucionet tjera përgjegjëse të cilat mund të gjejnë zgjidhje për mënyrën e pagesës e cila nuk ka të bëjë me rregullimin e çmimeve. ZRRE nuk ka të drejtë të dal mbi vendimet e Gjykatës dhe nuk mund të bëjë propozime apo zgjidhje jashtë kompetencave të sajë të rregullimit”, shtoi tutje ajo.
Zyra për informim e Qeverisë së Kosovës nuk ka dashur të prononcohet lidhur më këtë çështje. Por, vitin e kaluar Qeveria i kishte dhënë 1 milion euro KOSTT-it, për humbjet e rrymës në veri.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte thënë se është një vendim i përkohshëm, i cili ruan funksionalitetin e rrjetit të KOSTT-it.
“KOSTT ka kërkuar që me vendim të Qeverisë t’i ndahen mjete në shumë prej 1 milion euro për mbulimin e shpenzimeve për furnizim me energji elektrike, në komunat veriore të Kosovës. Jemi në pritje të përmbylljes së marrëveshjes për konektivitetin dhe për regjistrimin e operatorëve në veri dhe për fillimin e pagesave nga qytetarët në veri. Mirëpo kanë ndodhur devijime të shumta, pra mungesa në rrjet dhe KOSTT është i rrezikuar sikurse e dini, për përjashtim.
Në mënyrë që ta sanojmë një proces të tillë, jemi të detyruar të ndërhyjmë. Është vendim i përkohshëm, por si i tillë e ruan funksionalitetin tonë, të rrjetit tonë të KOSST dhe na mundëson me mbet në tavolinë, për të fituar të drejtën tonë si operator në rrjetin e operatorëve të transmisionit në Evropë. Por jo vetëm kaq, por dhe të drejtën mbi tregun, mbi tërësinë e tregut në Kosovë”, kishte thënë Hardinaj.
Lajmi.net ka kërkuar përgjigje edhe nga zyra për informim e Qeverisë së Kosovës, po ashtu edhe nga KOSTT-i për këtë çështje, por nuk ka marr përgjigje.
KOSTT kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës 1 milion euro për një muaj për t’iu shmangur devijimit të interkonjeksionit evropian ENSOI.
I gjithë ky kaos energjetik kishte ardhur si pasojë e heqjes nga faturat e konsumatorëve të Kosovës pagesën e tarifës edhe për pjesën veriore të Mitrovicës, gjë të cilën Avokati i Popullit e ka konsideruar shkelje të drejtave të njeriut. M.B