Qeveria vendos, Kosova me masa të reja kundër Covid-19

17:19 | 17 Qershor 2020

Vendosen masat e reja për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19.

Qeveria e Kosovës ka vendosur masat e reja për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë janë miratuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Me vendimin e ri obligohen institucionet publike dhe private të organizojnë punën në distancë apo nga shtëpitë, duke reduktuar edhe stafin.

Bazuar në vendim, kërkohet shtimi i kontrolleve rigoroze për bartjen e maskave.

Institucioneve u kërkohet të organizojnë punën me stafin në përputhje me manualin e miratuar për parandalimin e shpërndarjes së virusit.

Masat e reja janë vendosur pas shtimit të madh të rasteve të reja me koronavirus në Kosovë. Deri tash në Kosovë janë regjistruar 1756 raste me COVID-19. Prej tyre 968 persona janë shëruar e 34 kanë vdekur.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se ky vendim vjen pas rritjes së numrit të rasteve me Covid-19 dhe pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19, IKSHPK na ka rekomanduar si Ministri të Shëndetësisë, dhe pas takimit me Komitetin për menaxhimin e pandemisë, kërkoj që të përkrahni vendimin e Ministrisë që konsiston që institucionet publike dhe private obligohen të organizojnë punën me stafin e tyre në distancë fizike, apo nga shtëpitë e tyre (në mënyrë) online, në funksion të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive bazuar në legjislacionin në fuqi, që nënkupton reduktimin e stafit. Të gjitha institucionet publike dhe private obligohen të shtojnë kontrollet të bartjes së maskave në hyrje të çdo institucioni”, ka thënë Zemaj.

Komento: