Qeveria zbut masat, mbi 12 mijë raste aktive me COVID-19

23:14 | 18 Prill 2021

Mbi 12 mijë raste aktive me koronavirus, Qeveria zbut masat.

Mbi 12 mijë raste aktive me COVID-19 janë aktualisht në vendin tonë derisa Qeveria në mbledhjen e sotme ka zbutur masat antiCOVID. Gjatë mbledhjes së sotme Qeveria ka vendosur hapjen e gastronomisë dhe qendrave tregtarë nga e hëna, 18 prilli, derisa e ka vazhduar orën policore nga ora 22:30 deri në 05:00 të mëngjesit.

Ndërkohë, që nga filli i pandemisë, në vendin tonë numri total i rasteve pozitive është 101 mijë e 517 raste nga 500 mijë e 112 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

Aktualisht në vendin tonë numri i rasteve të vdekjeve ka shkuar në 2 mijë e 72, derisa vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 11 viktima nga COVID-19.

Po ashtu, gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 529 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 87 mijë e 012 raste.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.501 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 364 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 11 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv”, ka njoftuar sot IKSHPK.

Komento: