Korab Sejdiu thotë se një Qeveri e udhëhequr nga LDK-ja dhe LVV-ja do ta nxjerrë Kosovën nga kriza.
Kosova është në udhëkryq politik pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. E një sinjal për shpërbërjen edhe të Kuvendit ka ardhur nga Kadri Veseli, i cili ka thirrur Kryesinë e Kuvendit pikërisht për këtë çështje.
Një deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, po mendon se është vetëm një kombinim i partive që mund ta nxjerr vendin nga gjendja aktuale.
Korab Sejdiu, që vepron si i pavarur në Kuvendin e Kosovës, thotë për EkonomiaOnline, se një Qeveri e udhëhequr nga LDK-ja dhe LVV-ja, do ta nxjerrë vendin nga kriza.
Madje ai thotë se është duke punuar me të dyja subjektet që të arrihet një koalicion parazgjedhor.
“Unë besoj se formula më e mirë që i jep shpresë vendi dhe që ka mundësi me nxjerrë nga kriza është pikërisht atë që edhe e kam shtyrë si ide me një koalicion sipas preferencës time parazgjedhor në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes, e cila pastaj do ta formojë një qeveri të fuqishme me një shumicë shqiptare në Kuvend, këtu nuk përjashtohen të futen edhe deputetët e tjerë të opozitës”, thotë ai.
Megjithatë, deputeti Sejdiu thotë se arritja e një koalicioni të tillë është vështirë i realizueshëm, por jo i pamundur.
“Unë besoj që nuk është lehtë formimi i koalicionit dhe gjithmonë është i vështirë, veçanërisht mes dy partive nëse ato janë në mëdha. Mirëpo nëse LDK-ja dhe Vetëvendosja e vendosin të ardhmen e vendit si prioritetin e tyre kryesor, atëherë natyrisht që do ta kenë shumë më lehtë që t’i bashkojnë forcat dhe të fokusohen pikërisht në këtë pikë. Rrethanat të cilat janë krijuar aktualisht kërkojnë që të mos fokusohemi në prioritetet tona politike, partiake por thjeshtë të vendosim Kosovën si prioritetin e vetëm edhe të ardhmen e Kosovës “, thotë ai.
Deputeti që në zgjedhjet e kaluara ishte pjesë e listës së LDK-së përmes AKR-së, thotë se preferon që në zgjedhjet e reja të jetë pjesë e një liste të përbashkët me LDK-në dhe VV-në.
“Skema aktuale legjislative pothuajse e bënë të pamundur kandidimin si person si kandidat i pavarur. Natyrisht që nëse veç vendosi që të vazhdoj atëherë duhet të kyçem në një listë të një subjekti ose koalicioni. Preferenca ime është të jem pjesë e një liste të përbashkët mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, që shpresoj dhe jemi duke punuar shumë që me realizua këtë”, thotë ai.
Sejdiu në këtë intervistë për EO ka komentuar edhe dorëheqjen e kryeministrin Haradinaj.
E konsideron si veprim të pamenduar, dhe për përfitime personale, ndërsa në dëm të vendit.
“Është veprim tipik i tij që flet pa menduar, pa e analizuar rastin. E kemi parë këtë për dy vite gjatë qeverisjes së tij që bënë gjëra të tilla. Ky ka qenë një veprim për të mirën e tij personale, pa u menduar mirë. Thjesht nuk ka vepruar si kreu i qeverisë, si udhëheqës i një prej institucioneve më të rëndësishme në vend”, thotë ai.
Deputeti Sejdiu që me profesion është jurist, ka komentuar edhe dorëzimin e kërkesës së Haradinaj në Gjykatën Kushtetuese për interpretim të aktit të tij të dorëheqjes nga posti i kryeministrit.
Edhe këtë veprim Sejdiu po e konsideron të panevojshëm.
“Nuk ka nevojë për shpjegim as prej Gjykatës Kushtetuese, as prej ndonjë gjykate tjetër, por kjo është fatkeqësia në të cilën ndodhemi. Kemi njerëz totalisht të papërgjegjshëm të cilët në mënyra të ndryshme kanë ardhur në poste vendimmarrëse, qoftë presidenti, qoftë kryeministri, qoftë kryeparlamentari dhe është përgjegjësi e të gjithë neve të punojmë jashtëzakonisht shumë që këta njerëz t’i largojmë prej pozitave vendimmarrëse”, ka përfunduar Sejdiu.