Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë takohen të hënën, pritet të nënshkruhen disa marrëveshje

00:00 | 18 Qershor 2022

Mes Kosovës dhe Shqipërisë do të arrihen marrëveshje të rëndësishme.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mbajnë mbledhjen e tetë të përbashkët të hënën e ardhshme në Prishtinë.

Mes tyre pritet të nënshkruhen disa marrëveshje në fushën e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike.

Pavarësisht mospajtimeve me kryeministrin shqiptar Edi Rama, qeveria e Kosovës thotë se mbledhja e përbashkët është dëshmia më e mirë e bashkëpunimit mes vendeve.

“Në nëntor të vitit 2021 kemi pasur një mbledhje të përbashkët në Elbasan, në qershor të vitit 2022 po mbajmë një mbledhje në Prishtinë. Herën e kaluar kemi nënshkruar13 marrëveshje, shumica e tyre kanë gjetur tashmë zbatim. Këtë mbledhje po synojmë të nënshkruajmë edhe disa marrëveshje që synim kanë bashkëpunimin dhe lehtësimin e qytetarëve të dy vendeve. Kjo është dëshmia më e mirë e nivelit të bashkëpunimit, pavarësisht mos pajtimeve për çështje të caktuara”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Komento: