Qindra hektarë të djegura, 7 raste të zjarrit në Kosovë brenda 24 orëve

10:06 | 08 Gusht 2021

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka identifikuar dhe intervenuar në 7 raste të përhapjes së zjarrit dhe zjarrvënies nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.

Dy raste janë identifikuar në rajonin e Gjilanit. Një prej tyre në Livoç të Epërm ku një zjarr është raportuar në Deponinë e cila gjendet një kilometër në afërsi të këtij fshati, por që zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë.

“Fsh. Livoçi i Epërm, Gjilan 07.08.2021 – 06:50. Është raportuar për një zjarr në Deponinë e cila gjendet rreth një kilometër në afërsi të fshatit të lartcekur. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore si dhe njësit i zjarrfikësve të cilët kanë arritur që ta lokalizojnë zjarrin.”, thotë raporti i policisë.

Rasti tjetër ka ndodhur në Bukovik të Gjilanit ku janë djegur rreth 20 hektarë tokë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet e zjarrfikësve dhe policisë.

“· Fsh. Bukovik, Gjilan 07.08.2021 – 11:23. Është raportuar se rreth 20 hektar janë përfshirë nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe zjarrfikësit.”, tregon policia.

Incident tjetër i zjarrit ka ndodhur në Han të Elezit ku një veturë është kapluar nga zjarri.

“Hani i Elezit 07.08.2021 – 02:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se një veturë me targa vendore është kapluar nga zjarri e cila kishte qenë e parkuar para shtëpisë së ankuesit. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore dhe zjarrfikësit të cilët e kanë shuar zjarrin.”, thotë policia.

Dy raste të tjera kanë ndodhur në Ferizaj. Njëra në fshatin Prelez i Jerlive ku një person ka raportuar se plantacioni i tij i mbjellur me molla me sipërfaqë 3-4 hektarë është përfshirë nga zjarri.

Sipas ankuesit, zjarri ia ka dëmtuar 200 trupa të pemëve dhe sistemin e ujit në sipërfaqe prej 30 ari.

“Fsh. Prelez i Jerlive, Ferizaj 07.08.2021 – 11:20. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se plantacioni i tij i mbjellur me pemë (molla) me sipërfaqe 3-4 hektarë është përfshirë nga zjarri. Sipas ankuesit nga zjarri i janë dëmtuar rreth 200 trupa te pemëve dhe sistemi i ujitjes në sipërfaqe prej 30 ari. Zjarri është lokalizuar nga njësiti i zjarrfikësve. Rasti nën hetime.”, sqaron policia.

Një rast tjetër i zjarri ku janë përfshirë nga zjarri 80-90 hektarë ka ndodhur në Rahovicë të Ferizajit.

“Fsh. Rahovicë, Ferizaj 07.08.2021 – 11:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se nga zjarri i shkaktuar në fshat i janë djegur rreth 700 copa duaj ushqim për kafshë. Zjarrin e përfshirë në një sipërfaqe prej rreth 80-90 hektar e kanë lokalizuar zjarrfikësit. Rasti është duke u hetuar.”, tregon policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

Një person është arrestuar në Pejë pasi i njëjti ia kishte vënë flakën veturës së familjes e cila ishte djegur në tërësi.

“Pejë 07.08.2021 – 19:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se veturës së familjes së tij ia kishte vu zjarrin e cila ishte djegur në tersi. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe zjarrfikësit të cilët e kanë shuar zjarrin. I dyshuari sipas familjarëve të tij ka probleme shëndetësore dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.”.

Djegia e hamulloreve ka shkaktuar një zjarr të madh në Resnik të Klinës ku është nevojitur intervenimi i zjarrfikësve dhe policisë të cilët e kanë lokalizuar zjarrin, respektivisht kanë arrestuar një person i cili është liruar më pas me procedurë të rregullt.

“Fsh. Resnik, Klinë 07.08.2021 – 09:05. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ia kishte vënë zjarrin hamulloreve në arën e tij. Zjarri është lokalizuar nga zjarrfikësit, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”, sqaron policia.

Ditët e fundit, Kosova dhe shumë vende të tjera të rajonit dhe Europës po përballen me zjarre të mëdha dhe vazhdimisht po bëhet apel që të mos ndizen zjarre .

Komento: