QKUK merr masa ndaj punëtorit teknik dhe 4 infermiereve pasi një nënë i denoncoi për trajtimin e fëmijës së saj

19:40 | 13 Korrik 2026
qkuk-merr-masa-ndaj-punetorit-teknik-dhe-4-infermiereve-pasi-nje-nene-i-denoncoi-per-trajtimin-e-femijes-se-saj

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) thotë se ka pranuar me seriozitet shqetësimet e ngritura publikisht lidhur me përvojën e një familjeje gjatë trajtimit të fëmijës së tyre në Klinikën e Pediatrisë.

“Për këtë arsye, Drejtori i QKUK-së ka marrë vendim për formimin e një komisioni ad-hoc, i cili po zhvillon një hetim të plotë administrativ për të verifikuar të gjitha rrethanat e rastit. Hetimi do të përfshijë shqyrtimin e pretendimeve lidhur me trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, si dhe çdo lëshim eventual, nga ato menaxheriale deri te ato teknike”, thuhet në reagimin e tyre.

“Sa u përket parregullsive të konstatuara menjëherë gjatë verifikimeve të kryera nga QKUK, përfshirë ato që pasqyrohen edhe në fotografitë e publikuara, janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës në zinxhirin hierarkik menaxherial, si dhe është suspenduar përkohësisht punëtori i shërbimeve teknike”, vijon reagimi.

“Ndërkaq, për të mundësuar zhvillimin e paanshëm të hetimit administrativ lidhur me pretendimet për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, janë ndërmarrë masa të përkohshme administrative ndaj katër (4) infermierëve”, thuhet tutje në reagim.

“Pas përfundimit të hetimit administrativ, QKUK do ta informojë publikun për gjetjet e komisionit, si dhe për masat që do të ndërmerren, me synim forcimin dhe ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike shëndetësore”, përfundon njoftimi.

Komento: