QKUK publikon rezultatin për të dyshuarën me koronavirus

23:20 | 08 Shkurt 2020

Rasti i të dyshuarës me koronavirus në QKUK ka rezultuar negativ.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka pranuar se në Klinikën Infektive është shtruar një paciente, e cila mund të jetë e prekur nga koronavirusi. Sipas mjekëve, asaj i janë bërë analizat menjëherë, dhe rezultati ka dalë negativ.

Lajmin e ka konfirmuar Lendita Berisha, drejtoresha e Klinikes Infektive.

Sipas mjekëve të QKUK’së, pacientja është shtetase e huaj, e cila punon në Kosovë.

Mjekët kanë bërë të ditur se pacientja, pasi i është shfaqur një kollë, ka shkuar në spital për t’u kontrolluar.

Ajo kishte qëndruar në një qendër për ski jashtë Kosovës, ku ka mësuar se disa persona ishin dyshuar se janë prekur nga koronavirusi.

Nga ana tjetër, kujtojmë që numri i personave nën vëzhgim mjekësor është rritur në 185 555, ndërsa numri i atyre që dyshohet se janë të infektuar është 27 657.

Gjithashtu numri i personave të infektuar jashtë territorit kryesor të Kinës ka arritur në 26 në Hong Kong dhe 10 në Makau.

Thuhet se virusi është transmetuar te njerëzit nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët e natës.

Përveç se në Kinë, virusi është përhapur në më shumë se 20 vende, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.

Shumë vende kanë evakuuar qytetarët e tyre nga Ëuhan-i, epiqendra e virusit dhe zona të tjera të prekura të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur epideminë emergjencë ndërkombëtare.

Komento: