
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të qumështit UHT “Land” 3.2%, të prodhuar nga ABRAZEN L.L.C. (Qumështorja VITA), pas konstatimit të nivelit mbi kufirin e lejuar të aflatoksinës M1.
Sipas njoftimit të AUV-së, informacioni zyrtar është pranuar nga autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat kanë konstatuar praninë e aflatoksinës M1 mbi nivelin e lejuar në këtë produkt, raporton ORAinfo.
AUV ka nisur kontrollin zyrtar dhe verifikimin e gjurmueshmërisë së produktit, në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqim, i cili përcakton se ushqimi konsiderohet i dëmshëm dhe i pasigurt për konsum kur përmban mykotoksina mbi kufijtë e lejuar.
Agjencia ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Shëndetësisë, do të përcaktojë masat e mëtejshme ndaj stabilimentit RKS-014 – ABRAZEN L.L.C. (Qumështorja VITA).
AUV ka njoftuar se opinioni publik do të informohet për masat dhe zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë rast. /ORAinfo/