Qumështi për nxënësit e Prishtinës, ja çfarë ka ndodhur

20:29 | 10 March 2019

Filloristëve nuk po iu shërbehet edhe qumështi krahas kifleve.

Që nga 12 janari, filloristëve nuk po iu shërbehet qumësht, komunarët premtojnë se shpejtë do të rifillojë furnizimi.

Po e bartë shujtën e mëngjesit për shokët e tij filloristë. Është ora e parë e ndërrimit dhe nxënësit e kësaj klase shërbehen me ushqimin e tyre ditor.

E duket se shujta është e pëlqyeshme për nxënësit e shkollës 7 Marsi në Emshir.

Por, filloristëve nuk po iu shërbehet edhe qumështi krahas kifleve, si dikur.

Kjo pasi ka skaduar kontrata për furnizim me qumësht për nxënësit.

Janë gjithsej 17,200 nxënës të cilëve po iu mungon kjo pije, pasi kontrata me operatorin e furnizimit ka përfunduar me 12 janar.

E në Drejtorinë për Arsim të Komunës së Prishtinës thonë se shumë shpejt do rifillohet dhënia e ushqimit.

Meriton Dragusha tregon për T7 se ka ankesa nga prindërit për mos furnizimin me qumësht.

E për tenderin e qumështit ishte ankuar edhe Lëvizja Vetëvendosje!

Kjo bëri që në muajin janar, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, të anulojë tenderin 500 mijë euro për furnizimin e 17 mijë nxënësve me qumësht.

E për këtë punë, Valdrin Ahmeti nga VV, kishte ushtruar kallëzim penal për dyshimet për keqpërdorim të Komunës së Prishtinës.

Sekretari i VV në Prishtinë thotë se mungesa e qumështit është një shenjë e degradimit të vazhdueshëm të qeverisjes në Prishtinë.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore e Prishtinës në një përgjigje për T7 deklaroi se prokuroria është duke e trajtuar me seriozitet këtë lëndë.

Komento: