Deklarimin e Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusarit, se nuk do të ketë pagë të muajit shtatorit për grevistët, e ka quajtur të turpshme, e veçanërisht mu në ditën e parë të fillimit të vitit shkollor, filozofi dhe profesori universitar, Blerim Latifi.
Latifi shkroi se e gjeti veten të irrituar me deklaratën e Kusarit për mosekzekutimin e pagave për grevistët, derisa u shpreh se “Qysh s’i vjen marre, asaj dhe shumë kolegëve e kolegeve të saj, të cilët nuk kanë probleme financiare në përballimin e jetës së përditshme, ngase paguhen si askush tjetër në Kosovë, ndërsa puna që bëjnë realisht vlen më pak se puna e mësuesve”.
“Pse? Sepse, praktikisht, sot Kuvendi i Kosovës është një ndër institucionet më dembele dhe më joefektive në krejt sistemin institucional të Kosovës. Realizimi i agjendës legjislative është për faqe të zezë dhe nëse do të vendosej një standart për t’i paguar deputetët e Kuvendit të Kosovës në bazë të realizimit të kësaj agjende, jo 2000 euro, por as 200 nuk do të mund t’i merrnin”, shkroi Latifi.
“Debatet që bëhen aty në shumicën e kohës janë debate të një niveli shumë të ulët intelektual e profesional. Të vetmen punë që Mimoza Kusari e shumica e kolegëve e kolegeve të saj dinë ta bëjnë mirë është të prodhojnë akuza kundër njëri tjetrit, sa për të dalë në media dhe për t’i kënaqur militantët e shkretë të partive të tyre”.
“Me fjalë të tjera : ata janë pasqyra ma objektive e rënies intelektuale e kulturore, të cilën shoqëria kosovare është duke e jetuar viteve të fundit”, përfundoi Blerim Latifi.
Shkrimi i plotë i profesorit Latifi:
Isha në shkollë sot. E dërgova djalin tim gjashtë vjeçar në ditën e parë të shkollës. Mësuesit mundoheshin të krijonin një atmosferë festive. Edhe prindërit, derisa i drejtonin fëmijët drejt tyre me buqeta lulesh. Por atmosfera e zymtë ndihej nga të gjithë. Arsyeja dihet. Në ndërkohë, derisa po prisnim që fëmijët të futeshin në klasa, unë e hapa telefonin. Në ballinë të portaleve një deklaratë e Mimoza Kusarit. Në deklaratë ajo thoshte se për mësuesit grevistë nuk do të ketë pagë të shtatorit. U irritova dhe thash me vete : Qysh s’i vjen marre që pikërisht në këtë ditë të dalë me këtë deklaratë. Qysh s’i vjen marre, asaj dhe shumë kolegëve e kolegeve të saj, të cilët nuk kanë probleme financiare në përballimin e jetës së përditshme, ngase paguhen si askush tjetër në Kosovë, ndërsa puna që bëjnë realisht vlen më pak se puna e mësuesve.
Pse?
Sepse, praktikisht, sot Kuvendi i Kosovës është një ndër institucionet më dembele dhe më joefektive në krejt sistemin institucional të Kosovës. Realizimi i agjendës legjislative është për faqe të zezë dhe nëse do të vendosej një standart për t’i paguar deputetët e Kuvendit të Kosovës në bazë të realizimit të kësaj agjende, jo 2000 euro, por as 200 nuk do të mund t’i merrnin.
Debatet që bëhen aty në shumicën e kohës janë debate të një niveli shumë të ulët intelektual e profesional. Të vetmen punë që Mimoza Kusari e shumica e kolegëve e kolegeve të saj dinë ta bëjnë mirë është të prodhojnë akuza kundër njëri tjetrit, sa për të dalë në media dhe për t’i kënaqur militantët e shkretë të partive të tyre.
Me fjalë të tjera : ata janë pasqyra ma objektive e rënies intelektuale e kulturore, të cilën shoqëria kosovare është duke e jetuar viteve të fundit.