Qytetarët ankohen për ushqime të pasigurta, AVUK: Çdo produkt që hyn në vend është i sigurt

18:22 | 07 Qershor 2020

Në ditën e sigurisë së ushqimit, qytetarët ankohen se ushqimet në supermarkete nuk janë të sigurta.

Në anën tjetër, institucionet përgjegjëse për sigurinë e ushqimeve thonë se në vend ushqimet janë të sigurta.

Përveç ankesës se atyre u servohen ushqime jo të sigurta, qytetarët ankohen se nuk e marrin edhe cilësinë krahas çmimit që e paguajnë.

Qytetari Pajazit Tahiri thotë se ushqimet që servohen nga markete nuk janë shumë të sigurta, për çka kërkon kontroll më të madhe nga inspektorët.

Ndryshe, nga Tahiri, qytetarja tjetër Afërdita Qerkini, thotë se ka ushqime të sigurta, ndërsa ushqimet që ofrohen nga bizneset deri diku janë cilësore.

E qytetari Riza Syla, ankohet se pemët dhe perimet nuk janë cilësore, ndërsa thotë se çmimet janë shumësh më të larta sesa cilësia që e marrin.

Ndërkaq, qytetarja Fatime Tahiri thotë se siguria e ushqimeve është e vogël, duke përmendur se produktet e mishit nuk ruhen në temperatura adekuate.

Kritika për sigurinë e ushqimeve, ka edhe kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Sipas tij, ka shumë artikuj ndaj të cilëve kanë ankesa që nuk i plotësojnë kushtet për konsum.

Ai tha për KosovaPress, se nëpër vendet rurale gjërat ushqimore janë edhe më të pasigurta, madje thotë se është shqetësuese.

Kaçaniku thotë se qytetarët e Kosovës nuk e marrin cilësinë për të cilën paguajnë. Sipas tij, duhet një kontroll më i madh i produkteve që importohen.

Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë Valdet Gjinovci, tha për KosovaPress se produktet që ata kontrollojnë janë të sigurta dhe plotësojnë kriteret e sigurisë për përdorim.

Ai thotë se janë duke realizuar aktivitete ditore me qëllim të ofrimit të produkteve të sigurta për konsumatorët dhe qytetarët.

Gjinovci bëri të ditur se nga muaji janar deri në fund të muajit maj në pikat kutare janë realizuar 16.650 kontrolle zyrtare të importit të produkteve me origjinë bimore dhe 3.081 kontrolle apo inspektime te produktet me origjinë shtazore.

Ndërsa, nga janari e deri më tani, AVUK ka larguar rreth 100 mijë kilogramë ushqim nga përdorimi. AVUK ka rreth 70 inspektorë sanitar, veterinarë dhe to-sanitarë, e që sipas Gjinovcit nuk është i mjaftueshëm për të bërë kontrollimin në masën që ata dëshirojnë.

Komento: