Gjilani po përballet me mungesë të ujit të pijshëm.
Niveli i ujit në pendën e Përlepnicës, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm rreth 60 për qind e qytetarëve të Komunës së Gjilanit, ka rënë në 16.50 metra.
Shaka për këtë është thatësia e madhe nga mungesa e reshjeve atmosferike muajve të fundit, që janë burim i furnizimit me ujë të kësaj pende.
Niveli i ujit në këtë pendë ishte 30 metra dhe me rënien e këtij niveli ka bërë që ditëve të fundit qytetarët të përballen me reduktime të mëdha të ujit.
Kështu ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë “Hidromorava”, Muhamed Suliqi, i cili ka theksuar se nëse vazhdon moti i nxehtë dhe nuk ka të reshura, rreziku është që niveli i ujit të bie edhe më poshtë.
Suliqi ka thënë se nëse uji bie nën nivelin 7 metra, nuk mund të përdoret për shkak të papastërtisë.
“Niveli i ujit maksimum është dashtë me qenë 30.3 metra, ndërsa sot e kemi 16.50, arsyeja e rënies është mungesa e reshjeve atmosferike, shiut dhe borës në këtë 6 mujorë, sepse burimi i pendës varet nga të reshurat atmosferike. Pasi që jemi hyrë në sezonin verorë ku edhe është rrit konsumi, tash me ardhjen edhe të bashkatdhetarëve diku 20-30 për qind rriten edhe kërkesat. Komuna ka shpallë gjendjet e emergjente ku edhe ka nxjerrë një urdhëresë për kufizimin e shfrytëzimin e ujit të pijshëm. Më këtë urdhëresë u ndalohet përdorimi i ujit të pijshëm: autolarjeve, larjeve të oborreve të kopshteve, trotuareve dhe ndërtimtarëve në vendpunishte që e shfrytëzojnë. Deri me tani nivelin e kemi 16.50 dhe mund të marrim ujë deri në thellësinë 7 metra, nënë 7 metra nuk mundemi me marrë ujë sepse është i papastër është problem që të shfrytëzohet”, ka thënë Suliqi.
Suliqi po ashtu ka thënë se kanë bërë planin për menaxhimin e kësaj situate, ku siç tha ai, kanë bërë reduktime të ujit në mbrëmje. Sipas tij reduktimet janë nga ora 21:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit.
Ai po ashtu ka thënë se reduktimet janë vetëm për qytetarët që furnizohen nga Penda dhe jo për ata që furnizohen me ujë nga burimet Bajës dhe puset në Velekincë.
“Kemi bërë planin për menaxhimin e kësaj situate, kemi hyrë në reduktime natën prej orës 21:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 të mëngjesit. Këto reduktime janë vetëm për ata qytetarë që furnizohen nga Penda. Gjilani i ka tri burime, Pendës, Bajës edhe puset që i kemi. Diku 60 për qind e qytetarëve furnizohen nga Penda, ndërsa prej puseve në Velekincë diku 30 për qind, ku prej Velekincës jemi duke dhënë ujë 24 orë. Bëjmë apel tek qytetarët për kursimin e ujit, shfrytëzimin sa më racional, d.m.th vetëm për nevojat sanitare, jo me keqpërdor për gjana të tjera. Ekipet e inspektimit të Hidromoravës bashkë me ekipet e Drejtorisë së Inspektoratit edhe me ndihmën e policisë 24 orë janë në lëvizje për të ndaluar keqpërdorimin e ujit, dënime nuk kanë dhënë deri me tani, por kanë dhënë procese dhe vërejtje.”, ka thënë tutje ai.
Komuna tashmë ka shpallur gjendje emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm dhe ka formuar një Task Torcë, si dhe inspektorati është 24 orë në terren për t’i parandaluar keqpërdorimet e mundshme.
Në anën tjetër, qytetarët janë ankuar për mungesë të ujit, madje ata kanë thënë se ka 3 ditë që nuk kanë ujë të pijshëm.
“Gjendja nuk është aspak e mirë, jo vetëm reduktime, por ka tre ditë që nuk kemi ujë të pijshëm”, ka thënë për lajmi.net një qytetarë që banon në rrugën qarkore në Gjilan.
Edhe kushtrim Kadriu, qytetar i Gjilanit ka thënë se ka reduktimet me ujin e pijshëm janë të tmerrshme.
“Reduktimet me ujin janë të tmerrshme. Të shtunën e të dielën nuk ka pasur ujë të pijshëm hiq edhe këto ditë ka shumë reduktime”, ka thënë Kadriu.
Ndërsa, sot kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria është duke punuar për gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme për ujin e pijshëm në Gjilan.
Këto komente Haradinaj i bëri gjatë një takimi me zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Transportit, Rexhep Kadriun, me të cilin ka biseduar për situatën emergjente me ujë të pijshëm në qytetin e Gjilanit.
Haradinaj ka treguar se për të eliminuar këtë krizë me ujë të pijshëm, duhet investim në mbushjen e ujëmbledhësit të Përlepnicës nga lumi Krivareka ose nga lumi Llapushnik.
“Për furnizimin e rregullt të qytetarëve me ujë të pijes, ekzistojnë dy alternativa, investimin në mbushjen e ujëmbledhësit të Përlepnicës nga lumi Krivareka ose nga lumi Llapushnik. Qeveria e vendit me marrjen e mandatit ka investuar në rindërtimin e Pendës së Përlepnicës, rrjetin shpërndarës si dhe impiantin e ujërave të zeza dhe do të vazhdojë të jetë e fokusuar për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme sa i përket ujit të pijes për komunën e Gjilanit”, ka thënë Haradinaj.