Qytetarët i la në terr, KEDS rrymën e shiti jashtë

20:14 | 20 Dhjetor 2018

Kosovarët po vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike.

Kompania për furnizim dhe distribuim të energjisë elektrike, KEDS, në periudhën më të ftohtë të vitit, ka lënë qytetarët e vendit pa energji.

Gjatë gjithë kohës, arsyetimi i tyre ka qenë se reduktimet kanë ndodhur për shkak të prishjeve apo investimeve që është dashur t’i bëjnë në rrjet, raporton KTV.

Por, kompania turke nuk e ka ndalur aspak eksportin e energjisë për t’i mënjanuar reduktimet në vend.

Sipas të dhënave të ofruara nga Operatori i Sistemit Transmisionit dhe Tregut-KOSTT, gjatë muajit nëntor, KEDS-i ka eksportuar 18 mijë megavat energji për orë, ndërsa në muajin tetor 50 mijë megavat.

Ndërsa, importi i energjisë elektrike, sipas të dhënave të KOSTT-it, gjatë muajit nëntor, ka qenë 139 mijë megavat për orë, ndërsa në muajin tetor 69 mijë megavat.

Megjithatë, KOSTT-i nuk ka ofruar të dhëna për shkëmbimin e energjisë gjatë muajit dhjetor.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka treguar se, për shkak të ,reduktimeve u ka shqiptuar vërejtje KEDS-it dhe KESCO-s.

Madje, ZRRE bëri të ditur se është duke bërë monitorimin e të gjithë operatorëve, në mënyrë që të sigurohen se janë duke u respektuar ligjet dhe kushtet e licencave.

“Jo gjithmonë arsyet e ndaljes së furnizimit me energji janë për shkak të riparimeve, apo mirëmbajtjeve. Shpesh, ndërprerjet e energjisë ndodhin edhe për shkak të motit të keq, ngarkesës së rrjetit në zona të caktuara apo ndërprerjeve të paplanifikuara të gjeneratorëve. Për këtë, ZRRE-ja u ka tërhequr vërejtjen operatorëve KEDS dhe KESCO për ndërprerje të menjëhershme të reduktimeve dhe mosaplikim të ndërprerjeve të paplanifikuara të energjisë në emër të mirëmbajtjeve gjatë sezonit të dimrit, me përjashtim të mirëmbajtjeve të domosdoshme, pa të cilat mund të rrezikohet sistemi apo siguria e furnizimit të energjisë”, ka thënë Adelina Murtezaj, zyrtare për marrëdhënie me publikun në ZRRE.

Ndërsa, drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaqi, thotë se termocentralet janë duke punuar me të gjitha kapacitet.

Thaçi ka njoftuar se remonte brenda blloqeve nuk do të ketë deri në muajin maj.

Në kontratën e nënshkruar me qeverinë, me rastin e privatizimit të KEDS-it, kjo e fundit është obliguar që ta bëjë furnizimin 24 orë me energji.

Komento: