Qentë endacak po i bëjnë qytetarët të ndihen të pasigurt.
Prania e qenve endacakë në çdo cep të kryeqytetit po shkakton pasiguri tek qytetarët, Komuna thotë se i ka trajtuar ata.
Mund ti shihni në çdo pjesë të kryeqytetit.
E prania e qenve endacak, po shkakton pasiguri tek qytetarët.
Një nga të moshuarit thotë se prania e tyre në qytet më së shumti po i frikëson fëmijët.
“Duhet me ditë qe këtu kalojnë fëmija e vogël fëmija tutet trembet. Brenda në qytet qeni nuk bën me qenë por kemi këso njerëz, që duhet sa ma përpara qentë me i hekë prej qytetit”, thotë një qytetar.
E një situatë e njëjtë sikur në sheshet e Prishtinës është edhe në parkun e qytetit.
Më të rrezikuara nga prania e tyre po ndihen nënat, të cilat dalin për shëtitje me fëmijët e tyre.
Duke marrë parasysh që këta qenë nuk kanë strehim, e as me çka të ushqehen, nënat po frikësohen se ata mund ti sulmojnë fëmijët e tyre.
Ndërkohë një prind tjetër, tregon se kalimi gjatë orëve të natës në këtë pjesë është i pa mundur.
“Në mbrëmje këndej nuk mundemi të kalojmë. Me qenë me fëmijë, është shumë rrezik, tubohen dhe qëndrojnë këtu gjithmonë”, thotë një qytetar i Prishtinës.
E pamje të tilla kemi edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.
Këtu përditë kalojnë një numër i madh i studentëve, të cilët për t`iu shmangur qenëve, u panë edhe teksa ndërronin rrugën. Por prezencë më e madhe e tyre është nëpër qytetet e tjera.
Në disa video që T7 ka arritur t’i sigurojë, u pa një numër i madh i qeneve endacak rrugëve të qytetit të Prizrenit.
Ndërkohë, ditë më parë, një grua në qytetin e Mitrovicës u rrezikua nga një qen.
Por, për fat të mirë, ajo arriti të mbrohej, duke hyrë në një prej lokaleve qe gjendeshin afër.
Ndërkaq, Komuna e Prishtinës thonë se ata kanë kryer trajtimin e qenve me përmes vaksinimit.
Miranda Mullafllaziu, zëdhënëse për media, theksoi se Komuna e ka të pamundur të bëjë sistemimin e të gjithë qenve.
‘‘Është e vështirë të sistemohen të gjithë, por synimi është që të gjithë qentë të sistemohen gradualisht. Shumica e qenve në hapësirat publike janë të trajtuar me KSVL, trajtim ky i cili e ndalon tërbimin.’’, thonë në komunën e Prishtinës.
Mullafllaziu gjithashtu theksoi se Komuna ka nënshkruar një kontratë për ndërtimin e strehimores për qentë endacak dhe trajtimin e tyre si dhe pilot projektin për 5 pikat ushqyese për qentë ne territorin e Prishtinës.