Qytetarët nuk dijnë me çka do të ngrohen pas rritjes së çmimit të druve

15:53 | 01 October 2022

Rritja e çmimit të druve, qytetarët nuk dijnë se me çka do të ngrohen.

Rritja e çmimit të druve ka bërë që qytetarët e Maqedonisë të tërhiqen dhe të mendohen para se të vendosin që dimrin që vjen ta kalojnë duke u ngrohur me dru.

Në hall thonë se janë edhe kompanitë që merren me shitjen e drurit, pasi thonë se kanë më pak klientë, por më shumë shpenzime për të siguruar dru me shumicë 84-vjeçari Mehmed Daciq, i cili vazhdon të punojë si druprerës, thotë se kurrë në jetën e tij nuk ka përjetuar shtrenjtim më të madh të druve, por edhe interes më të pakët të qytetarëve për ti blerë ata.

Ai thotë se edhe pse e punon këtë punë, nuk është në gjendje që të siguroj disa metër dru për vete.

“Unë këtu punoj dhe po të betohem se ende nuk kam marrë dru. Ndërsa pension marr 16 mijë denarë. Unë me këtë makinë punoj këtu dhe ende nuk mund të blejë dru. Kam familje më të madhe, rryma u shtrenjtua, faturat janë shtrenjtuar si uji, artikujt po ashtu, e çka do të bëjmë edhe ne vet nuk e dimë… Të presësh drurin në mal, ta nxjerrësh me kuaj, me traktorë më shumë se 200 kilometra, a e dini sa janë ata shpenzime, ndërsa drejtoria e pyjeve shumë i ka shtrenjtuar. A qytetarët ndodhen në hallë të madh, nuk kanë para, kërkojnë me hua…”, tha Mehmed Daciq, druprerës.
Nga Ndërmarrja e Pyjeve thonë se një muaj më parë e kanë rritur çmimin e druve për 20%.

“Çmimi i druve është rritur për 20%. Korrektimi i çmimit për herë të fundit është bërë në vitin 2009, ndërsa prej atëherë të gjitha parametrat e prodhimit janë rritur dhjetëfish. Nuk parashikohen rrite të reja të çmimeve këtë dimër”, thonë nga N.P. Pyjet kombëtare. Pronarët e bizneseve që shesin dru, thonë se përveç që ballafaqohen me situatën me çmimet e shtrenjta, ata kanë edhe mungesë të punëtorëve. Këtë veprimtari e shohin si biznes në zhdukje, ndërsa vendi në të ardhmen mund të ketë krizë më të madhe për të siguruar drurin për djegie.

“Nuk ka, me zor, nuk ka. Ka pasur herë të tjera, por shkojnë ikin në Itali, nuk kanë llogari dhe kjo punë do të ndalohet. Unë 30 vite e punoj këtë punë, por si tani nuk ka bërë vaki… Edhe këtë vit ta çojmë deri në fund dhe do të ndalojë kjo punë. Nuk ka punëtor, kjo punë do djem të ri, unë çka të bëj më 73 vjet. Kam punuar tërë jetën me dru, por më nuk mundem”, tha Ramis Kamberi, punonjës me dru.

Qytetarët me të cilët biseduam thonë se rritja e çmimit të druve ka rënduar tepër ekonominë e tyre. Janë detyruar të lënë anash nevoja të tjera për të siguruar drutë.

A bletë dru, si ishte dallimi i çmimit prej vjet?

“Shumë, 1 000 denarë dallimi prej vjet, 1 500 varësisht. Lamë mëngët gjëra të tjera”, tha një qytetare.

“Drutë janë shtrenjtuar shumë, 100 euro një metër kub, edhe pse s’dihet a janë një metër kub por ashtu i llogarisin. Kështu që na ka mbetur diçka prej vjet dhe do të kombinojmë”, deklaroi një qytetar.

Çmimi për një metër kub dru nëpër pikat e shitjes për momentin shkon deri në 5 500 denarë. Ose për rreth 30% më shumë se viti i kaluar, kur çmimet shkonin deri në 4 200 denarë./alsat

Komento: