Derisa qytetarët vazhdojnë të brengosen se si do të paguajnë faturat e larta të rrymës, sot në Kuvendin e Kosovës nuk gjeti zbatim një propozim për anulimin e saj.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar të enjten, 20 janar, për çmimin e energjisë elektrike, pas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë për rritjen e çmimit.
Deputetët e partive opozitare kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për keqmenaxhim të situatës me energji elektrike dhe i kanë kundërshtuar propozimet për rritje të çmimit të energjisë.
Ata ia kanë ndërprerë fjalën zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pasi ky i fundit u ka thënë deputetëve se po manipulojnë me shifrat për rritje të çmimit.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se në proces do të kenë një mocion procedural që lidhet me këtë çështje dhe ka ftuar partitë tjera në Kuvend që ta mbështesin.
Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka akuzuar kryeministrin Kurti se është i paftë ta menaxhojë situatën.
“Qytetarët e Kosovës po përballen me një krizë të jashtëzakonshme dhe me një kërcënim nga Qeveria për rritje të çmimit të energjisë përreth 300 për qind”, tha Gashi.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se janë mbi 200 mijë familje që shpenzojnë mbi 800 kilovat.
Sipas tij, Kosova po bëhet një nga shtetet me çmimin më të lartë të energjisë.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, ka thënë se për situatën e krijuar edhe me çështjen e energjisë elektrike fajtore janë qeveritë e kaluara.
“Nuk është Lëvizja Vetëvendosje që solli këtë gjendje, janë veprimet apo mosveprimet e partive që ishin në pushtet, të cilat e sollën faturën që sot po ballafaqohemi të gjithë”, ka thënë Kusari Lila.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se totali i gjenerimit të energjisë elektrike, me kapacitet vendor më 19 janar ka qenë 727 megavat, ndërkaq konsumi ka arritur deri në 1,317 megavat. Sipas Kurtit, importi ka qenë mbi 10 gigavat orë.
Kurti ka thënë se çmimi bazë për megavat në orë ka qenë 227 euro, ndërkaq çmimi maksimal 245 euro.
“Nëse marrim përafërsisht 240 euro një megavat orë që e kemi blerë, në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm, në kushtet kur konsumojmë shumë më tepër se gjenerojmë, kur e shumëzojmë, del se dje, më 19 janar, kemi paguar për import të energjisë, 2.5 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.
“Ku t’i marrim 2.5 milionë euro? Asnjëri nuk dëshiron që energjia të jetë e shtrenjtë”, ka thënë Kurti.
Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë, për ngritje të tarifave të energjisë së shpenzuar elektrike i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D, E.
Siç shpjegohet në Raportin Konsultativ të ZRRE-së, rritja e çmimit të energjisë prek vetëm dy kategori të amvisërive, D dhe E, përkatësisht ata qytetarë që shpenzojnë mbi 800, përkatësisht mbi 1000 kilovatë. Për kategorinë D, që shpenzon 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 12 euro e 31 centë. Për qytetarët në kategorinë E, që shpenzojnë 1000 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 24 euro e 62 centë.
Që rritja e faturave të energjisë elektrike të mos jetë aq e lartë dhe të mos bëhet e papërballueshme për një kategori të qytetarëve, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 75 milionë eurosh në formë subvencionimi. Këto subvencione vlejnë edhe për bizneset, për të cilat – edhe pas propozimit të ZRRE-së nëse miratohet – nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike.
ZRRE-ja ka dalë me propozimin për rritje të faturave më 17 janar, pasi çmimet e energjisë elektrike janë rritur edhe në tregjet evropiane, duke i ndikuar kështu edhe çmimet e importeve të Kosovës.
Faturat me rritje, në rast se propozimi i ZRRE-së kalon, do të fillojnë nga data 1 shkurt 2022 dhe shqyrtimi i rregullt i tyre pritet të bëhet në muajin mars të vitit 2023.