
I vetmi vendbanim në Ballkanin qendror që ka një toponim gjerman gjendet në Kosovë. Kështu ka shkruar gazetari Enver Robelli në një postim të tij në rrjetin social në Facebook. Sipas tij, bëhet fjalë për – Neuenberg “Kështu quhet Novobërda (ose Artana) në dokumentet historike”.
“Në fillim të shekullit të 15-të kishte mes 8000 deri 10’000 banorë. Ishte në kulmin e zhvillimit ekonomik. Ishte sa gjysma e Vjenës dhe me të njëjtën madhësi sa qytetet e rëndësishme të Perandorisë së Shenjtë Romake, shkruan historiani Oliver Jens Schmitt në këtë shkrim të botuar në gazetën austriake ‘Standard’ “, ka shkruar Robelli.
Ai ka shkruar se udhëtarët burgundas (rajon francez) tregonin për pasurinë përrallore që despotët serbë nxirrnin nga Novobërda: 200’000 dukatë ari, po aq sa nxirrte Republika e Venedikut nga zotërimet e saj jashtë shtetit.
“Një ‘qytet i vërtetë argjendi dhe ari’ e quajti Novobërdën historiani dhe shkrimtari bullgar Konstantin Filozofi, autor i një biografie lavdëruese për despotin serb Stefan Lazareviq, i cili vdiq më 1427. Bashkëkohësit bizantinë flisnin për një mal prej ari dhe argjendi. Në atë kohë punëtorë nga gjysma e Europës erdhën të punonin në Novobërdë, shumë prej tyre ishin sasë (Sachsen), xehtarë gjermanë nga Hungaria e Epërme (Sllovakia e sotme)”. /Telegrafi/