
Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dha dorëheqje nga ajo pozitë dhe njoftoi se më 24 shtator erdhi në Banjskë së bashku me bashkatdhetarët e tij për të inkurajuar siç thotë ai popullin serb që t’i rezistojë regjimit të Kurtit dhe se askush nga strukturat e qeverisë së Serbisë apo strukturave lokale politike nga veriu i Kosovës nuk e ka ditur.
Kjo është letra e plotë e Radoiçiqit drejtuar publikut, të cilin e lexoi avokati I tij Goran Petronijeviq:
“Unë, Milan Radojiçiq, babai Rajko, i lindur më 1978, në Pejë të Kosovës, për shkak të spekulimeve të shumta që janë shfaqur, njoftoj gjithë opinionin publik se së bashku me bashkatdhetarët e mi nga veriu i Kosovës, më 24 shtator 2023 erdha në veri të Kosovës në zonën e fshatit Banjskë.
Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i popullit serb nga ajo zonë që t’i rezistojë terrorit të regjimit të Kurtit, për të mbrojtur vendin tonë, njerëzit që çdo ditë i ekspozohen atij terrori dhe të krijoj kushte për realizimin e ëndrrës së lirisë së popullit tim në veri të Kosovës.
Po i njoftoj të gjithë përndjekësit në detyrë të popullit serb, që nga Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike.
Për këtë nuk kam njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Republikës së Serbisë, as nga strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe as kam marrë ndihmë prej tyre, sepse tashmë kemi pasur qëndrime të ndryshme për metodat e rezistencës ndaj terrorit të Kurtit.
Pasi populli i rezistoi në mënyrë të përsëritur terrorit të regjimit të Kurtit, për shkak të respektimit të arsyeve politike për qetësimin e situatës, ne disa herë u tërhoqëm pa arritur një rezultat të dukshëm, sepse na u tha se në këtë mënyrë do të kontribuonim në de-përshkallëzimin, dhe se KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare do të ndërmarrin gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur popullin serb.
Megjithatë, qetësimi i situatës si kjo nga ana jonë nuk u perceptua nga pala tjetër si vullnet i mirë dhe krijimi i kushteve për negociata, por si dobësi. Si pasojë e kësaj dita-ditës u intensifikuan aktivitetet e forcave të Kurtit, të cilat pushtuan ilegalisht veriun e Kosovës, në formën e të shtënave, rrahjeve të civilëve, arrestimeve të paarsyeshme, demonstrimeve të forcës dhe frikësimit të popullit serb. Thjesht, të gjitha këto metoda të rezistencës që janë aplikuar deri më tani nuk kanë sjellë ndonjë përmirësim në jetën e popullit serb, por përkundrazi.
Në një atmosferë të tillë vendosa ta bëj këtë akt sepse Kosova është vendi im, shtëpia ime, janë pjesë përbërëse e shtetit tim, Republikës së Serbisë dhe po i rrëmbejnë me dhunë neve dhe popullit serb, po persekutohen me qëllimin përfundimtar që Kosova përfundimisht të pastrohet nga serbët. Kjo është arsyeja pse ne u detyruam të përpiqemi të ndalojmë persekutimin e popullit serb dhe të mbrojmë jetën e familjeve tona dhe bashkëqytetarëve tanë, dhe në të njëjtën kohë të tërheqim vëmendjen e regjimit të Prishtinës dhe të bashkësisë ndërkombëtare se populli serb nuk do të vuan edhe më gjatë këtë lloj terrori të Kurtit.
Vdekja e policit ndodhi aksidentalisht, pas së cilës filloi një përleshje e ashpër nga të dyja anët, ku mbetën të vrarë tre bashkëluftëtarët tanë – heronj, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe ruajtjen e Kosovës.
Sakrifica e tyre fisnike nuk do të harrohet kurrë. Le të jetë e qartë për të gjithë se ne nuk jemi terroristë, por luftëtarë për lirinë e popullit tonë.
Edhe një herë e theksoj publikisht se kthimi im në veri të Kosovës më 24 shtator 2023 nuk kishte asnjë lidhje me angazhimin tim të mëparshëm politik brenda Listës Serbe. Gjithashtu, me këtë po e njoftoj opinionin se po paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.
Unë jam i gatshëm t’i përgjigjem ftesës së autoriteteve kompetente të Republikës së Serbisë në lidhje me këto ngjarje. Rroftë Serbia!”, ka thënë Radoiçiq në fjalimin e tij për publikun./FrontOnline/