
Rafael Leao ka refuzuar ofertën fillestare të Aston Villas, teksa e ardhmja e sulmuesit portugez mbetet ende e paqartë në orët e fundit të merkatos.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat italiane, Aston Villa dhe Galatasaray kanë arritur marrëveshje me Milanin për transferimin e Leaos, ndërsa tashmë të dy klubet po përpiqen të bindin lojtarin që të zgjedhë projektin e tyre, përcjell ORAinfo.

Leao i thotë “jo” ofertës së parë të Aston Villas
MilanNews raporton se Leao ka refuzuar ofertën fillestare të Aston Villas, e cila parashikonte një pagë prej rreth 8 milionë eurosh neto në sezon.
Megjithatë, negociatat me klubin anglez nuk janë mbyllur. Aston Villa pritet të rikthehet me një propozim të ri, ku mund të përfshihen bonuse që do ta rrisnin vlerën totale të pagës së sulmuesit.
Në të njëjtën kohë, Galatasaray vazhdon negociatat me përfaqësuesit e Leaos. Klubi turk ka një marrëveshje verbale me Milanin, por ende duhet të finalizojë detajet e kontratës së lojtarit, veçanërisht sa i përket pagës fikse dhe komisioneve.
Dy oferta prej 50 milionë eurosh për Milanin
Aston Villa i ka ofruar Milanit një marrëveshje me vlerë totale prej 50 milionë eurosh: 8 milionë euro për huazimin dhe 42 milionë euro si detyrim për blerjen përfundimtare.
Në anën tjetër, Galatasaray ka propozuar 45 milionë euro pagesë fillestare, plus 5 milionë euro bonuse relativisht të arritshme. Në këtë mënyrë, oferta e klubit turk arrin gjithashtu në 50 milionë euro.
Tashmë topi është në fushën e Rafael Leaos. Milan ka marrë ofertat që kërkonte, ndërsa vendimi përfundimtar i lojtarit pritet të përcaktojë destinacionin e tij të ardhshëm.
Orët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e yllit portugez. /ORAinfo/