Rafuna i reagon Albin Kurtit pas deklaratës se kreu i Odës Ekonomike duhet të jetë ndërmarrës e jo ish-ministër

15:56 | 12 Dhjetor 2025
Rafuna i reagon Albin Kurtit pas deklaratës se kreu i Odës Ekonomike duhet të jetë ndërmarrës e jo ish-ministër

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ky ku i fundit tha se është përçudnim sesi dikush si ministër i Financave dikur të bëhet kryetar i Odës Ekonomike të Kosovë.

Deklaratë kjo që Kurti e bëri në emisionin “Politiko” në Kanal10, kur iu tha se Qeveria nuk ka një dialog të mirë me odat.

“Oda Ekonomike Kosovës i mbylli hyrjet dhe daljet e Prishtinës me një rast. Këtë e bëri kryetari i kësaj ode i cili ka qenë ushtrues detyrës i Ministrit të Financave në kohën e PDK-së. Kjo i bie që kryetari i OEK-ut herën e ardhshme me u bë Avni Zogiani, kështu është Rafuna. Nuk ia ndaloj Zogianit, por nuk bëhet. Kur thoni Oda Ekonomike, njeriu mendon që aty është një ndërmarrës i zellshëm. Ka qenë ministër i financave. Më gjeni një vend demokratik ku ministri i Financave bëhet kryetar i Odës Ekonomike. Ministri I financave, kryetar i OEK-ut këto janë përçudnim në vendin tonë, këto janë përcudtni që janë trashëgimi e mbrapsht e të kaluarës”, tha mbrëmë Kurti.

Por kryetari i OEK, Lulzim Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online ia ka gjetur Kurti shembujt të ngjashëm që kanë ndodhur në vende të tjera, e po ashtu ka sqaruar pozicionin e tij të dikurshëm.

“Për hir të korrektësisë, kryeministri Kurti nuk e di, por për hir të korrektësisë së publikut, unë asnjëherë nuk kam qenë ushtrues i detyrës së ministrit të Financave; kam qenë ministër në detyrë, dhe është dallim shumë i madh mes ushtruesit të detyrës dhe ministrit në detyrë. Kam qenë ministër në detyrë që kam mbuluar një fazë të tranzicionit. Sa i përket asaj që nuk është praktikë, më lejoni t’ju sjell vetëm dy shembuj konkretë, që në shumë vende të rajonit dhe të Bashkimit Evropian janë ministrat që janë edhe kryetarë të odave. Shembull, e kemi kryetarin e odave evropiane, i cili është edhe ministër i Ekonomisë së Çekisë dhe ai tani ushtron për dy mandate si president i odës evropiane; po ashtu e kemi edhe kolegun nga Oda Ekonomike e Kroacisë”, tha ai.

Rafuna nënvizoi se Oda që ai drejton është e gatshme të krijojë partneritet me institucionet e Kosovës.“Kështu që është një praktikë dhe një mundësi shumë e mirë dhe e madhe që një kryetar i odës të vijë prej institucioneve publike, sepse shërben si ndërmjetësues dhe si urë mes sektorit privat dhe institucioneve publike: si për të avokuar për interesat e sektorit privat, ashtu edhe për të qenë një partner shumë i mirë për shkak të njohurisë që e ka në institucionet publike, për t’u ndihmuar atyre dhe ekzekutivit në avancimin e politikave për zhvillimin ekonomik të vendit. Jam shumë i lumtur se ku kemi arritur me Odën Ekonomike të Kosovës dhe, e theksoj me përgjegjësi, oda është gati 24 orë në shtatë ditë të javës, partnere e institucioneve të Republikës së Kosovës për të mirën e ekonomisë së vendit”, theksoi ai.

Kryetari i OEK-ut tha se nuk ka pasur dialog për një kohë të gjatë me qeverinë.

“Ne për një kohë të gjatë nuk kemi pasur dialog me qeverinë dhe ka munguar dialogu publiko-privat. Ne, përkundër mungesës së dialogut, përmes mediumeve jemi munduar t’i çojmë kërkesat, ta alarmojmë qeverinë që një politikë që nuk ka qenë e mirë, e që ka mundur të ndikojë negativisht te bizneset siç ka qenë puna e energjisë elektrike ta adresojmë, dhe kemi gjetur forma të tjera komunikimi për t’ia dërguar qeverisë nëse ajo politikë vlen apo jo”, tha ai.Rafuna foli edhe për sifdat që janë përballur bizneset, duke përmendur çështjen e energjisë elektrike.“Biznesi, jemi dëshmitarë, është përballur me probleme si çështja e energjisë elektrike, mospasja e institucioneve funksionale, ku 1 miliard euro marrëveshje ndërkombëtare rrin në Kuvendin e Kosovës të pa ratifikuara; më pas shumë fonde që është dashur t’i marrim nuk kemi mundur t’i marrim për shkak të sanksioneve nga Bashkimi Evropian, ku Oda Ekonomike do t’i drejtohet komisioneres Kaja Kallas që të largohen këto masa ndaj Kosovës. Nuk ka qenë një vit shumë i mirë për bizneset e Kosovës dhe jam krenar se, përkundër sfidave, biznesi i ka qëndruar vendit të vet, zhvillimit ekonomik, dhe ka avancuar në integrimin në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Komento: