Rakitic largohet nga kombëtarja e Kroacisë

18:39 | 21 September 2020

Rakitic i jep lamtumirën Kroacisë.

Rreth një muaj më parë Ivan Rakitic mbylli aventurën 6-vjeçare me klubin e Barcelonës, për t’u rikthyer te Sevilla, skuadra ku edhe spikati në kampionatin spanjoll gjatë sezoneve 2011-2014, ndërsa sot mesfushori kroat mbylli një tjetër kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij.

Tashmë në moshën 32-vjeçare, Rakitic vendosi t’i japë fund angazhimit në kombëtaren kroate dhe lajmin e dha Federata Kroate e Futbollit dhe pak më vonë e konfirmoi vetë futbollisti nëpërmjet një deklarate zyrtare.

“Ti jepja lamtumirën ekipit kombëtar kroat ishte një nga vendimet më të vështira të karrierës time, por e ndjeva se kishte ardhur momenti që ta bëja këtë. Kam shijuar çdo ndeshje të luajtur për vendin tim dhe kujtimet e Kupës së Botës do të mbeten gjatë në memorien time. Jam i bindur që kemi akoma një ekip të shkëlqyer dhe një të ardhme të ndritur përpara. U uroj të gjithë miqve dhe shokëve të skuadrës, gjithë fatin e botës për sfidat e reja që na presin dhe konfirmoj se unë do të jem tifozi i parë i tyre”, tha Rakitic.

Mesfushori debutoi me kombëtaren kroate më 8 shtator të 2007-ës në një ndeshje eliminatore të Europianit ndaj Estonisë në Zagreb, ndërsa gjatë karrierës së tij veshi fanellën e Kroacisë për plot 106 ndeshje, duke shënuar edhe 15 gola.

Komento: