Rama betohet se do t’i kryejë detyrat me ndershmëri e në pajtim me ligjin

12:33 | 09 Dhjetor 2025

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të martën u betua para asambleistëve të rinj në mbledhjen inauguruese të Kuvendit Komunal.

Në ceremoninë solemne, Rama u betua se do t’i kryejë gjitha detyrat si udhëheqës i kryeqytetit me ndershmëri, besnikëri, në mënyrë të paanshme dhe në pajtim me ligjin.

Pas betimit, Rama ka thënë se shpreson se në këtë mandat nuk do të ketë bllokada të kalkuluara politikisht, por që të punohet bashkarisht për të mirën e qytetarëve të Prishtinës.

“Mandati i kaluar nuk ka qenë ashtu si kanë merituar qytetarët. Ka pasur bllokada të kalkuluara politikisht. Ka pasur vonesa e pengesa dhe prej tyre më së shumti kanë vuajtur qytetarët. Uroj që këtë mandat të reflektojmë dhe të mos e detyrojmë popullin të dëgjojë diskurse përçarëse, të mos vendosim qytetin peng të kalkulimeve politike. Të gjithë jemi të votuar për t’i shërbyer qytetarëve, e jo partive. E kemi për borxh të bëhemi bashkë e të punojmë, të mos projektojmë kriza artificiale, të mos krijojmë bllokada që e bllokojnë qytetin. Por të punojmë me përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen tonë”, ka thënë ai.

Kryetari i Prishtinës u zotua për punë në të gjithat fushat që prekin të ardhmen e qytetarëve.

“Prishtina foli dhe ky besim për mua është vazhdim i përgjegjësie dhe motiv. Është zotim për ta vazhduar punën me besim të palëkundur. Ju faleminderit që na besuat. Do të punojmë për t’i përfunduar projektet kapitale, në arsim, shëndetësi, në investime kapitale dhe në të gjitha fushat Do të vazhdojmë t’i përkrahim idetë inovative. Këta qytetarë meritojnë respekt”, ka shtuar Rama.

Ai do të jetë në krye të kryeqytetit për mandatin e dytë.

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka 51 asamblistë.

Sipas rezultatit të zgjedhjeve të 12 tetorit, LDK-ja i ka 15 asamblistë, PDK-ja e LVV-ja nga 12 , AAK-ja 5 e “Lidhja për Prishtinën” 4. Lista GUXO, PSD-ja e Nisma kanë nga një asamblist.

Komento: