Rama dhe Vuçiqi anulojnë pjesëmarrjen në ngjarjen e nesërme në Novi Sad

17:39 | 28 September 2021

Pavarësisht raportimeve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk do të flasin në konferencën e nesërme që shënon përvjetorin e dytë të themelimit të Mini-Schengenit, që së fundi u quajt Ballkani i Hapur. Gazeta “Danas” raporton sot se Rama dhe Vuçiq e kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre në konferencën që do të mbahet në Novi Sad.

Pretendohet se një ndryshim i tillë ndodhi “në minutën e fundit”.

Sipas informacioneve jozyrtare në të cilat thirret mediumi serb, është planifikuar që kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq të flasë me pjesëmarrësit e të ashtuquajturit forum drejtues në vend të Vuçiqit, ndërsa kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, pjesëmarrja e të cilit gjithashtu u njoftua më herët, do të flasë përmes video-lidhjes.

Konferenca dy-ditore “Ballkani Perëndimor, një rajon, një treg – një hap drejt tregut të përbashkët të BE-së” po mbahet sot dhe nesër në Novi Sad të Serbisë.

Organizatorët e kësaj ngjarjeje janë Fondi për Çështjet Evropiane i Vojvodinës, Fondacioni Konrad Adenauer dhe Forumi Rajonal i Liderëve të Rinj.

Fillimisht ishte planifikuar që Rama, Vuçiq dhe Zaev të flisnin nesër në të ashtuquajturin panel udhëheqës, si dhe t’u drejtoheshin mediave më pas.

Kjo ngjarje po mbahet në përvjetorin e krijimit të nismës së Schengenit të Vogël për bashkëpunim ekonomik në Ballkan, takimi i parë i të cilit u mbajt në vitin 2019 në Novi Sad.

Nisma bashkoi në një qëllim Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Danas” shkruan se nuk ishin në gjendje të zbulonim nga përfaqësuesit e autoriteteve serbe dhe shqiptare se pse Rama dhe Vuçiqi e anuluan pjesëmarrjen.

Qarqet diplomatike spekulojnë se ndryshimi mund të lidhet drejtpërdrejt me tensionet aktuale në Kosovë.

Kryeministri shqiptar e vizitoi dje Kosovën, nga ku dërgoi kritika të qarta ndaj Beogradit zyrtar, dhe shprehu mbështetjen e plotë për autoritetet kosovare.

Rama në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndër tjerash, tha se Kosova ka plotësisht të drejtë në lidhje me vendosjen e reciprocitetit të targave me Serbinë, dhe theksoi se zgjidhja e problemit është dialogu.

“Në radhë të parë është Serbia që duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm dhe është për të ardhur keq që në vend të përparimit konkret të dialogut dhe çlirimit nga e shkuara, sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale të ushtrisë së Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk i mbrojnë në fakt qytetarët në veri të Kosovës, siç pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar, madje edhe nga disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës më shumë se 20 vjet më parë që sikur kanë dalë nga varri me pretendimin që po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë. Fakti është se qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush, madje iu paguhen edhe faturat e energjisë elektrike nga Qeveria këtu, si askujt askund jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë”, deklaroi Rama.

Komento: