Rama e Haradinaj të përçarë pas Samitit të Berlinit

00:00 | 02 May 2019

Samiti i Berlinit i mbajtur me 29 prill, duket se i ka përçarë Ramën e Haradinajn.

Haradinaj pas takimit të Berlinit është shprehur se ka qenë në pozitë të vështirë gjatë Samitit dhe se ka qenë krejtësisht i vetëm.

Ai madje ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë se i ka bërë presion për heqje të taksës më shumë sesa shtetet e tjera.

“Një insistim direkt i pandalshëm. Në një gjuhë që ishte në anglisht, qe e merrnin vesh, edhe kancelarja edhe presidenti Makron”, tha Haradinaj.

“Edhe dje kam dalë keq. Ma mirë ka qenë që Edi edhe Hashimi me thanë që mos me qit kushte në dialog. Por tash kur të thotë presidenti yt, dhe kryeministri i vendit tjetër, i bjen që veq ti po e pengon këtë proces. Kjo nuk është në rregull. Ne skem ku me shku pa pas qëndrime të njëjta. Nuk besoj që dikush ka dilema, që njohja është formula. Por si me ardhë deri te njohja, nuk duhet me dobësu pozicionin e Kosovës tek taksa. Heqja e taksës në start të dobëson”, ka thënë Haradinaj.

E këtyre deklaratave të Haradinajt iu ka përgjigjur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Ai nëpërmjet një postimi e ka quajtur gënjeshtar Haradinajn, duke shtuar se po gënjen për të dalë burrë i mirë para popullit sikur të ishte duke shitur mish në Pazar.

“Askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr takës. Unë jo e jo. Madje askush s’ia ka kërkuar hiç ta heqë taksën. Unë jo e jo. Përkundrazi”, ka shkruar Rama.

Kryeministri shqiptar gjithashtu ka shkruar se në diskutimin informal ka propozuar tek kryeministri i Kosovës pezullimin e taksës dhe jo heqjen e saj.

“I kam sugjeruar Ramushit në dy momente ta pranojë këtë kërkesë të tyre, sepse kam menduar dhe mendoj që përfshirja direkte në nivelin më të lartë të Gjermanisë dhe Francës, boshtit të Bashkimit Europian u shfaq si një mundësi e re dhe shumë e favorshme për ta shtruar çështjen e finalizimit të dialogut në nivelin më të lartë të mundshëm”, tha Rama.

Rama tha gjithashtu se ngushëllohet me faktin se pas samitit edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u nda i pakënaqur publikisht me të.

Nuk është hera e parë kjo që ka përplasje midis dy kryeministrave. Përplasje kishte edhe më parë kur Edi Rama kishte komentuar tentimet e liderëve të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Edi Rama aso kohe kishte shkruajtur se: “Krijimi i një problemi të tillë është sikurse lopa kur e mbush kovën e vet, pastaj ia fut shkelm dhe nuk dihet më se çka vjen mbrapa”.

E këtij komenti të kryeministri të Shqipërisë iu kishte përgjigjur këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Halil Matoshi duke thënë se: “S’ban me e derdhë tamlin por as me mbjellë kanabis!.

Menjëherë pas kësaj, Rama e kishte vizituar Haradinajn në shtëpinë e tij dhe përplasja nuk kishte vazhduar më tutje.

Komento: