Rama e quan të kundërligjshme kërkesën e Qeverisë për listat e mësimdhënësve grevistë

22:07 | 31 Gusht 2022

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama , ka reaguar në lidhje me procesin mësimor në Kosovë dhe vendimin e Qeverisë që t’u ndërpresë pagat mësimdhënësve grevistë.

Rama tha se është e drejtë e institucioneve arsimore dhe administratës që të vihen në grevë, pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë, ku u rritën të gjitha çmimet, por pagat mbetën të njëjta.

“Kërkesa e qeverisë së Kosovës bërë drejtorive komunale të arsimit për t’ua nisë listat e mësimdhënësve grevistë, që t’i nxjerrë ata nga lista e pagave, është e kundërligjshme. Por është e drejtë legjitime e qeverisë që mësimdhënësit t’ia nënshtrojë testit të rivlerësimit, proces ky që duhet të ishte ndërmarrë që moti”, thuhet në reagimin e Ramës.

Ai theksoi se nxënsit duhet që patjetër t’u kthehen bankave shkollore.

“Ndërkohë, shtatori sapo nise dhe nxënësit duhet patjetër t’u kthehen bankave shkollore kurse punonjësit administratës. Është prandaj imperative që bashkimi i sindikatave dhe qeveria të mos e ndërpresin dialogun dhe të gjejnë një kompromis një orë e më parë.#kryeqyteti”.

Komento: