Rama i reagon ministrit Çeku: Vetëvendosja e ka bllokuar çështjen e palestrës sportive

18:08 | 04 January 2025
rama-i-reagon-ministrit-ceku:-vetevendosja-e-ka-bllokuar-ceshtjen-e-palestres-sportive

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, i ka reaguar sot ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku lidhur me projektin e palestrës multisportive në kryeqytet.

Ky i fundit të premten përmes një postimi në Facebook ka prezantuar këtë projekt dhe ka thënë se tash e një vit janë duke pritur ndarjen e lokacionit, por që kanë hasur në neglizhencë totale nga komuna.

Megjithatë, Rama duke iu kundërpërgjigjur ministrit ka thënë se kanë qenë asamblistët e Vetëvendosjes që për katër herë e kanë refuzuar edhe lokacionin edhe planin për palestrën.

“Lokacioni dhe plani për palestrën janë refuzuar katër herë nga asambleistët e Vetëvendosjes. Në seancën e fundit (04.12.2024), kjo bllokadë u shoqërua me shkatërrim të pronës publike dhe ndërhyrje të policisë! Komuna e Prishtinës ka planifikuar ndërtimin e palestrës si pjesë të një kampusi sportiv në Bernicë, me projekte të plota urbanistike dhe përpjekje të vazhdueshme për miratim. Përhapja e propagandës dhe mungesa e bashkëpunimit politik po dëmtojnë Prishtinën dhe qytetarët e saj. Faji për vonesat bie mbi bllokimin e qëllimshëm nga Vetëvendosje dhe jo mbi Komunën”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai tutje ka thënë se komuna do të vazhdojë të punojë për të realizuar projektet e rëndësishme, sipas tij, pavarësisht bllokimeve politike.

“Retorika e gabuar dhe veprimet destruktive nuk do të na ndalin! Qytetarët e Prishtinës meritojnë zhvillim, jo propagandë politike”, ka shtuar Rama.

Komento: