Rama i reagon PDK-së: Punëtorët e “Pastrimit” nuk do të mbesin pa punë, pastrimi i kryeqytetit s’do të sabotohet politikisht

17:08 | 04 December 2024
rama-i-reagon-pdk-se:-punetoret-e-“pastrimit”-nuk-do-te-mbesin-pa-pune,-pastrimi-i-kryeqytetit-s’do-te-sabotohet-politikisht

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në kompaninë “Pastrimi” dhe akuzave që i janë bërë sot nga PDK.

Rama ka thënë se nuk do të lejojnë që pastrimi i kryeqytetit të sabotohet për arsye politike.

“Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” nuk do të mbeten pa punë, dhe qytetarët e kryeqytetit nuk do të mbeten pa shërbimin e grumbullimit të mbeturinave.
Për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të kompanisë “Pastrimi” për të përmbushur nevojat e kryeqytetit, që nga muaji maj kemi angazhuar operator privat, për të garantuar shërbime cilësore të merituara për qytetarët”, ka shkruar Rama.

I pari i Prishtinës, tutje ka shtuar se angazhimi i operatorit privat dhe furnizimi i Kryeqytetit me kontenierë të rinj kanë përmirësuar dukshëm menaxhimin e mbeturinave.

“Pavarësisht këtyre përmirësimeve, asamblistët opozitarë po bëjnë përpjekje për të ndryshuar rregulloren që do të pamundësonte ofrim-shërbimin nga operatorët privatë. Një vendim i tillë do të rikthente problemet e mëparshme me mbeturinat, duke rrezikuar shëndetin publik dhe cilësinë e jetesës në Kryeqytet”, ka shkruar Rama.

Ai tutje ka shprehur keqardhje për politizimin e këtij shërbimi thelbësor.

“Penalizimi i qytetarëve për arsye politike është johuman dhe i papranueshëm. Përhapja e dezinformatave se punëtorët do të mbeten pa punë është një përpjekje e ulët për të krijuar frikë dhe panik. Angazhimi i operatorit privat ishte dhe mbetet një mbështetje për kompaninë “Pastrimi” dhe jo një zëvendësim i saj. Kështu, do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen”, ka shkruar Rama.

Komento: