Rama: MPB-ja na bllokoi projektin për Spitalin e Prishtinës, jemi në proces të realizimit

09:45 | 24 Maj 2026
rama:-mpb-ja-na-bllokoi-projektin-per-spitalin-e-prishtines,-jemi-ne-proces-te-realizimit

Qytetarët e Prishtinës vazhdojnë të marrin shumicën e shërbimeve spitalore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), institucion ku marrin shërbime të specializuara qytetarë nga e gjithë Kosova.

Kjo shënon një ngarkesë shtesë për këtë qendër, ndërsa lë mangët kryeqytetasit.

Në këtë situatë, projekti për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës po konsiderohet si një nga investimet kryesore për lehtësimin e ngarkesës në sistemin shëndetësor.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se projekti është në proces, ndërsa akuzoi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, në atë kohë për bllokim.

Rama, në një intervistë për Ekonomia Online, deklaroi se tashmë janë përcaktuar lokacioni dhe buxheti për spitalin, ndërsa po zhvillohen edhe bisedime me investitorë dhe institucione financiare ndërkombëtare.

“Na, e dini që Spitalin e Prishtinës veç e kemi caktu lokacionin, edhe e kemi caktu buxhetin. Tash në konferencën për investitorë po ashtu kemi edhe interes prej sektorit privat për me na ndihmu për me e zhvillu këtë projekt. Tash e patëm takimin këtu edhe me institucionet qendrore edhe ndërkombëtare, financiare, që janë të interesum për me i financu këto procese. Kështu që jemi në proces edhe ju lajmërojmë edhe për hapat e mëtejshëm”, u shpreh Rama.

Sipas tij, ndërtimi i Spitalit të Kryeqytetit do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e ngarkesës në QKUK, duke u ofruar qytetarëve të Prishtinës një institucion të dedikuar shëndetësor.

“Shumë, normal. Vetëm Prishtina, që i vyn Spitali i Kryeqytetit, nuk e ka spitalin e vet. Pra në QKUK, aty kemi qytetarë edhe prej pjesëve të tjera të Kosovës që marrin shërbime, kështu që Prishtinës i duhet Spitali i Kryeqytetit. Të cilin faktikisht edhe i kemi pasë fondet prej Katarit para tash dy vite gati, po që projektin na e kanë blloku Ministria e Punëve të Brendshme sepse ata e kanë pasë edhe Ministrinë e Administratës përpara. Mirëpo tash po them, ne po i shtyjmë proceset edhe në bashkëpunim me sektorin privat”, tha ai.

Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës ka qenë ndër premtimet kryesore të kryetarit aktual të Prishtinës, Përparim Rama.

Komuna, madje, ka ndarë parcelën e tokës për ndërtimin e tij, si dhe një buxhet fillestar për projektin.

Projekti, sipas planit të Komunës, mund të kushtojë 90 milionë euro, me lokacion në zonën e njohur si Prishtina e Re.

Komento: