
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është deklaruar pas intervistimit në Prokurorinë Speciale të Kosovës si i dyshuar për korrupsion në ratin e “Arkitetktit të Kryeqytetit”, duke thënë se është i gatshëm për bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe se kërkesë të tillë e ka bërë vazhdimisht.
Rama ka theksuar se është transparent lidhur me këtë çështje, por edhe me çështje të tjera, duke shtuar se bashkëpunimi me prokurorinë është i rëndësishëm për funksionimin e një shteti demokratik.
“Unë kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe për çështje të tjera. Jemi totalisht transparentë dhe për këtë arsye kam ardhur të diskutoj e të bisedoj, përkundër faktit që disa, si kryeministri, pa përmendur emra, nuk shkojnë. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për bashkëpunim me Prokurorinë, sepse kështu zhvillohet shteti demokratik”, ka deklaruar Rama.
Ai ka thënë se përgjegjësia e tij është zhvillimi dhe ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e Prokurorisë është të sigurojë që çdo gjë të bëhet në përputhje me legjislacionin.
I pyetur nëse ka pasur rrjedhje të informacionit, pasi disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin paralajmëruar se ai do të paraqitej në Prokurori, Rama ia ka lënë gazetarit vlerësimin për këtë çështje.
“Ju jeni profesionistë dhe vendosni vetë a ka pasur apo nuk ka pasur”, është përgjigjur ai.
Prokuroria Speciale ka konfirmuar se Rama është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta, ka bërë të ditur se institucioni është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Rasti “Arkitekti i Kryeqytetit” lidhet me projektin “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, kontrata e të cilit kap vlerën prej 12 milionë eurosh.