Rama për naftën: Duhet të bëni sakrificë, nga nesër qeveria hyn në administrim

10:13 | 11 Mars 2022

Rama takohet me furnizuesit e naftës.

Në një takim me furnizuesit e naftës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se brenda 24 orësh do të kalojë një akt normativ me fuqinë e ligjit dhe qeveria do të hyjë në administrimin e furnizimit me naftë.

“Ju duhet të jeni të vetëdijshëm që i përkisni asaj pjese të shoqërisë shqiptare që duhet të bëjë sakrificë. Duhet të ndihmoni veten me kujtimin e asaj që ishit me atë që jeni, nuk është koha për të fituar. Kjo është koha për të rezistuar. Ne kemi detyrimin që të mbajmë barrën më të madhe. Në këto kushte, ne do të kalojmë brenda 24 orësh një akt normativ me fuqinë e ligjit dhe qeveria do të hyjë në administrimin e furnizimit bashkë me ju, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant. Çdo ditë, ju dhe qeveria, do të jeni në tryezë. Nuk do të ketë asnjë tabelë në asnjë pikë karburanti që nuk është miratuar nga bordi, nëse dikush do ta bëjë këtë, do të humbasë pikën e karburantit”, tha Rama.

Më tej, Rama u shpreh se qeveria do të angazhohet për të krijuar rezervën e saj të naftës duke përdorur Albpetrolin për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija.

“Ne si qeveri, ministria e Energjisë do të angazhohet për të krijuar rezervën e vetë, duke përdorur Albpetrolin për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija. Ne do të jemi 100% në dispozicion për çdo ndihmë nëse problematika e furnizimit do të agravohet edhe ju duhet të jeni 100% për të qenë në lartësi të kësaj sfide. Mungojnë bombat, por pjesa tjetër është pasojë e kësaj lufte”.

Kryeministri kërkoi nga furnizuesit e naftës që të zgjedhin një përfaqësi me 5 persona për të marrë pjesë në bordin kombëtar të furnizimit me karburant.

“Do të duhet që brenda paradites së nesërme të na bëni me dije 5 përfaqësues për bordin kombëtar të furnizimit me karburant. Nesër pasdite do të mblidhet bordi. Si mbledhje e parë, mbledhja duhet të jetë me prezencë fizike, më pas, online. Të gjithëve në fund do t’u jepet çmimi që do të shfaqet në tabelë nga bordi. Nuk është as qëllimi dhe as prirja e qeverisë për të vendosur çmime, por ne do të garantojmë transparencën e plotë për çmimin”, tha Rama./A2CNN

Komento: