Edi Rama reagon pas deklaratës së Mustafës për Mini-Schengenin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur kreut të LDK-së, Isa Mustafës, i cili gjatë ditës së sotme tha se Mini-Schengeni Ballkanik është një Mini-Jugosllavi e re.
Gjatë një konference për media nga Ohri, Rama tha se ka respekt ndaj Mustafës, mirëpo tha se komenti i kreut të LDK-së ndaj tij është “ i tepërt dhe jo fort elegant”.
Rama ka thënë se është i befasuar nga deklarata e Mustafës.
“Kam respekt për Isa Mustafën. Kemi punuar bashkë jam i befasuar nga deklarata e tij por siç ka ai të drejtën në opinionin e tij të ndryshëm nga i imi, edhe unë kam të drejtën të kem opinion të ndryshëm nga i tiji. Të flasësh për këtë proces që rikrijon Jugosllavinë… të ma thuash mua këtë, që as kam punuar në administratën e Jugosllavisë e as kam ndonjë lidhje me Jugosllavinë, përveç kujtimit të keq të keqtrajtimit të shqiptarëve. Kështu që më duket e tepërt dhe jo fort elegante”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij Schengeni Ballkanik është një ide që është refuzuar vazhdimisht nga dy faktorë, nga BE-ja dhe nga Serbia.
Rama tutje shtoi se Serbia e ka kundërshtuar sepse e ka parë si kërcënim të shqiptarëve pikërisht për arsye të kufirit.
“Sot kur Serbia lëshon në këtë drejtim, natyrisht lëshon sepse sheh me interes që të përfitojë nga aspekte tjera të nismës, ne kundërvihemi? Përse? Sa është folur dhe sa herë janë bërë deklarata të tilla si ‘do e hapim kufirin, do e hapim kufirin’, nga të gjithë, është hapur kufiri? Jo! Pse? Sepse sa herë është folur për këtë gjë, kanë mësyrë në zyrat tona përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar duke thënë ‘kjo është Shqipëria e madhe’”, ka thënë Rama.
Ai po ashtu deklaroi se Kosovë është një moment kur po ndodh tranzicioni mes qeverisë që ikën dhe qeverisë që vjen dhe kjo e ka vështirësuar komunikimin.